RTSH 24 Live

Teknologji

Firmoset marrëveshja Shqipëri–Izrael për krijimin e "bankës më të madhe digjitale" në rajon

5 orë para

Firmoset marrëveshja Shqipëri–Izrael për krijimin e "bankës më të madhe digjitale" në rajon

Bashkia Tiranë, përmes projektit të vet strategjik “TEDA Tiranë” dhe kompania izraelite “H.A.P.I. Advanced Technologies LTD” nënshkruan të premten marrëveshjen për krijimin e një qendre rajonale për ruajtjen e të dhënave digjitale.

Investimi në kryeqytetin shqiptar synohet që të përmirësojë infrastrukturën digjitale të vendit dhe të tërheqë investime të tjera në këtë sektor, duke shfrytëzuar edhe përvojën e “TEDA” në sektorë strategjikë, si teknologjia, industria automotive, inovacioni, prodhimi dhe industri të tjera në përputhje me legjislacionin shqiptar. 

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se investimi do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për punësimin e të rinjve, të cilët sikurse sqaroi ai nuk do të vlerësohen në bazë të forcës së punës, por në bazë të cilësisë me të cilën e kryejnë atë.

Po ashtu, Rama theksoi se investimi që do të realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite, është investim strategjik i një rëndësie të veçantë, pasi në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit, do të krijohet banka digjitale më e madhe në rajon.

Marrëveshje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa vite më parë në takimin prezantues të kompanisë izraelite gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael.

Nuk e fsheh që fakti që kompania vjen nga Izraeli, është një arsye më shumë për të qenë posaçërisht të kënaqur që e mirëpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu në këtë hapësirë.

E them këtë duke e nisur nga fakti që historia e ndryshimit transformimit, sovranitetit të Izraelit si një fuqi e madhe inovacioni dhe po ashtu, ekonomia, pavarësisht numrit të vogël të popullsisë, është shëmbëlltyra e faktit se dallimin mes vendeve, shteteve, nuk e bën çfarë ke, por çfarë di.

Investimi që do realizohet në zonën e lirë ekonomike të Tiranës nga kompania izraelite është investim strategjik i një rëndësie të veçantë. Bëhet fjalë për dhjetëra miliona euro për të krijuar një bankë digjitale, e cila do jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit, baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit dhe do ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale.

Ky investim do krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë e vendit për të pasur një punë shumë të mirëpaguar në Tiranë.

Pagat nuk bëjnë asnjë dallim, nuk është çështja sa do paguhet forca e punës, por sa cilësore do të jetë forca e punës”, u shpreh kryeministri.

Rama bëri me dije gjithashtu se Shqipëria dhe Izraeli po diskutojnë për një sërë marrëveshjesh strategjike, që përfshijnë disa fusha.

Sa më shumë ne të përfitojmë nga transferimi i dijes nga Izraeli në Shqipëri aq më mirë do jetë për ne, ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Jemi në një fazë ku shumë gjera jemi duke biseduar dhe projektuar së bashku me partnerë të ndryshëm të ekselencës izraelite.

Jemi duke diskutuar për një sërë marrëveshjesh strategjike që shtrihen në disa fusha. Çdo kontribut që mund të sjellim këtu nga bota e dijes së Izraelit në sektorin e teknologjive dhe inovacionit është mëse i mirëseardhur”, përfundoi Rama.

/rtsh.al/