RTSH 24 Live

Sociale

Festivali "Sunny Hill" ikën nga Prishtina dhe vjen në Tiranë, Rama: Do ndriçojnë netët e kryeqytetit

14/06/2022

Festivali "Sunny Hill" ikën nga Prishtina dhe vjen në Tiranë, Rama: Do ndriçojnë netët e kryeqytetit
Kryeministri Rama dhe këngëtarja Dua Lipa

Festivali “Sunny Hill”, që ishte planifikuar të organizohej në Prishtinë, tashmë do të zhvillohet në Tiranë. Lajmi u konfirmua në faqen zyrtare të festivalit, ndërsa Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali, ka deklaruar se shkak i kësaj zhvendosje është bërë zvarritja e procedurave në Kosovë.

Me një postim në Facebook,  Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur, Dua Lipa, ka akuzuar autoritetet në Kosovë se nuk i kanë kthyer as një përgjigje  përfundimtare për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin.

Sipas Lipës, edhe pse janë në vitin e tretë të pritjes për përgjigje përfundimtare për dhënien e një hapësirë në shfrytëzim të platformës së festivalit, kjo kohë ka qenë e pamjaftueshme për institucionet të marrin një vendim që do t’i lejonte festivalit përgatitjet për mbajtjen e këtij edicioni.

Sunny Hill Festival ka treguar se nuk ka nevojë për pronë publike për 99 vjet. Ne nuk kemi nevojë për tokën e shtetit, por Prishtina ka nevojë për hapësirë e cila i plotëson kushtet e kërkuara nga performues të rangut botëror dhe festivali ka nevojë për shtëpi të përhershme në qytetin e tij”, thuhet në postimin e Dukagjin Lipës.

Nga ana tjetër, ky lajm është mirëpritur nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan në Facebook se këngëtarja Dua Lipa dhe të ftuarit e saj “do të ndriçojnë kryeqytetin”.

Festivali "Sunny Hill" vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S'ka si Tirona jo”, shkruan Rama.

Ku festival do të mbahet në Tiranë nga 4 deri më 7 gusht 2022.

/rtsh.al/