Festivali i Këngës nuk është vetëm skena e këngës së vërtetë shqipe, por edhe e mesazheve të rëndësishme.
Përgjatë netëve të këtij edicioni të 63 të Festivalit, do të ngjiten në skenë vajza e gra që përmes historive të tyre do të përcjellin mesazhe të mëdha, vajza dhe gra që kanë mësuar të bëhen të forta, duke dalë mbi steriotipet e shoqërisë sonë.
Një histori të tillë solli Zamira Koleci, gazetare dhe ish-drejtuese e Radio Tiranës. Ajo tregoi vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar në fillimet e karrierës, atëherë kur iu tha se për të ishte e pamundur të bëhej radiokroniste. Por këto fjalë nuk e ndaluan Zamirën, me forcë, kurajë dhe punë, ajo ia doli të ishte një ndër zërat e Radio Tiranës.
"Isha vetëm 13 vjeçe kur për herë të parë u ndesha me dhunën, sot i thonë bullizëm. Papritur, nga Zamira e zakonshme u bëra “qorre”, sepse vura syze. Një ndjesi që të çon në vetmi, një nofkë që dhemb. Kur nisa punën në radio isha 23 vjeç, plot gjysmë shekulli më parë. Nuk kisha asnjë njohuri për radiofoninë, por desha të bëhesha radiokroniste. Profesionistët më thonin nuk mund të ndodhë sepse zëri yt është shumë fëmijëror.
Në korridoret e radios njoha Vera Zhejin, spikeren e talentuar e cila më dha një këshillë: që zëri të kumbojë, fol me zë gjoksi dhe jo me zë koke. Mjaftoi ky sinjal dhe nisa të punoj me veten fort. Kështu u rrita profesionalisht, me durim e përkushtim, edhe pse ndeshesha me pengesa, paragjykime, deri edhe përçmime. Një njeri i fortë, i papërkulur ja del të fitojë sigurinë e ecjes përpara. Ndaj them se me zemër e mendje jam pranë grave, vajzave e aq më shumë fëmijëve që padrejtësisht vuajnë nga dhuna e çdo lloji.
Kur mendoj për betejat që duhen fituar ndalem në dy fjalë, mirësia dhe së bashku. Mirësia është një fjalë e vogël që mban peshë të madhe, e ndjej shpesh te njerëzit në rrugë, ne kemi nevojë për mirësi, jo si privilegj, por si detyrim ndaj njëri-tjetrit. Edhe pse çdo hap i mbushur me mirësi është i ngadaltë, betejat gjithmonë fitohen. Më pas vjen së bashku. E kam menduar shpesh si do të ishte jeta ime nëse do të kisha qenë e vetmuar në rrugëtimin tim. Unë them se ja dola profesionalisht edhe pse ndjeja përkujdesjen e prindërve, mbështetjen e dy motrave dhe miqve të shumtë. Duke qenë bashkë, përjetimet ndahen. Ndan besimin, ndjenjën që ka forcën të ndryshojë gjithçka. Fjala është mjeti im, një testament shpirtëror është misioni im t’i jap forcë, dritë dhe kuptim kësaj fjale. Në mbrojtje të vetes, grave, dhe gjithë atyre që nuk munden ta bëjnë dot vetë, po e mbyll me një thënie të shkrimtares italiane Oriana Fallaci: ‘Mëkati nuk lindi kur Eva kafshoi mollën e ndaluar, atë ditë lindi një virtyt i shkëlqyer që quhet mosbindja, simboli i betejës dhe rebelimit në mbrojtje të qenies njerëzore, grua’”, tregoi ajo.
/rtsh.al/