RTSH 24 Live

Muzikë

Fatmira Breçani - Çika e Tropojës që u bë "dada" e shqiptarisë

03/03/2024

Fatmira Breçani - Çika e Tropojës që u bë "dada" e shqiptarisë

Muzika, më shumë sesa e atyre që e bëjnë, është e jona, e të gjithëve ne që me zor presim ta duartrokasim. Ajo është një pjesë e kulturës së një vendi, e krijuar enkas për t'u shijuar.

Fatmira Breçani, këngëtarja e ftuar të dielën mbrëma në "Një natë sa një jetë" në RTSH e ka ngritur në një nivel tjetër vlerësimin për këngën popullore.

Artisja, e njohur si "dada" e shqiptarisë, tregoi se muzikën e nisi që e vogël.

"Atëherë këndoja me shkollën. Përfaqësoja krahinën time, fshatin tim, në disa koncerte. Aty dola për herë të parë, para se të vija në atë që quhej Takimi i Ansambleve të Klasës Punëtore në Tiranë, ku pata një pritje të jashtëzakonshme. Mentaliteti ishte 'a do vazhdoja, një vajzë që këndonte'. Me një mijë halle, me një mijë sakrifica unë vazhdoj të jem akoma mes këngës," tha këngëtarja nga Tropoja, duke kujtuar edhe kompozitorin e parë me të cilin u përfaqësua në Takimin e Ansambleve, të ndjerin Bashkim Gjyriqi.

Znj. Breçani është përzgjedhëse në materialet që ajo këndon.

"Gjithmonë jepja një mendim, edhe pse kisha besim të plotë te Kolë Sulaj, Skënder Doshlani, Edmond Zhulali. Tani meqë kam hyrë edhe te rinia, kam filluar të bëj këngë pak më modern, të cilat priten shumë mirë ku shkoj, në klube," u shpreh artistja shqiptare.

Zëri i fuqishëm i Fatmirës e ka bërë atë të quhet bilbili dhe mbretëresha e muzikës popullore. Artisti Gold AG, një bashkëpunëtor në dy këngë me znj. Breçani, tha se ai ka mbetur i çuditur nga mënyra si ajo e trajton zërin, si asnjë këngëtar tjetër.

"Kur e kam parë për herë të parë në studio ajo nxori prej çantës një shishe uji me akull. Mendova se e kishte për të ftohur diçka në çantë, por e kishte për ta pirë para se të fillonte të këndonte. Këngëtarëve të tjerë kjo s'i bën vaki, madje do i linte dy ditë në shtëpi," zbuloi Gold AG. 

"Kur vija te Radiotelevizioni Shqiptar hyja në derë me akullore në dorë. Më thoshin çfarë bën, se kemi incizim. Mua s'më ndihmon i ftohti për zërin, por kështu jam mësuar në zonën tonë. I thosha 'po të mos ha akullore nuk më del zëri' dhe ata i binin kokës me duar nga habia," tha znj. Breçani.

Së shpejti këngëtarja popullore ka planifikuar nxjerrjen e një kënge të re me tekst e muzikë të Gold AG dhe Gramoz Kozeli.

Të ftuar në emisionin e së dielës ishin edhe Kolë Sulaj, Skënder Doshlani, Maja, Kleansa Susaj, mbesa e artistes Breçani.

/rtsh.al/