RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Sot votimet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i presidencialeve

08/05/2024

Sot votimet e dyfishta në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet parlamentare dhe raundi i dytë i presidencialeve

Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet sot raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale si dhe zgjedhjet parlamentare.

Pas zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, këtë të mërkurë, për të dytën herë me radhë do t’i drejtohen kutive të votimit për dy palë zgjedhje.

Sipas Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, kutitë e votimit në 3840 vendvotime do të hapen në ora 07:00 e do mbyllen në 19:00, ndërsa të drejtën e votës e kanë mbi 1.8 milion votues, të cilët do votojnë për 17 parti politike dhe koalicione.

Në garën Presidenciale sot do votohet edhe për raundin e dytë për zgjedhjet presidenciale, ku në garë janë Stevo Pendarovski nga koalicioni i LSDM-së dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së. Për president do zgjedhet kandidati nëse do arrihet cenzusi apo dalja e votuesve mbi 40% apo mbi 720 mijë votues.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet parlamentare të 8 majit do të kenë mundësi të votojnë njërin nga dy kampet shqiptare Frontin Evropian – i përbërë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja Popullit, Partia Demokratike Evropiane dhe partitë e minoriteteve – ose koalicionin VLEN – i përbërë nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit).

Gjatë fushatës dyjavore janë ngritur tonet nacionaliste sidomos nga VMRO-DPMNE me cak komunitetin shqiptar, konkretisht Frontin Evropian.

Madje kandidatja për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, propozoi krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me komandat suprem Ali Ahmetin, dhe forcave policore e ushtarake maqedonase.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se sot qytetarët do të mund të hyjnë në vendvotim vetëm një herë dhe do t’u ofrohet mundësia të votojnë për president dhe deputetë ose vetëm për njërën nga dy zgjedhjet e mundshme.

“Votuesi merr dy fletë votimi nëse vendos të votojë për të dyja llojet e zgjedhjeve ose vetëm një fletë votimi për zgjedhjet për të cilat vendos të votojë”, theksuan nga KSHZ.

Zgjedhjet do vëzhgohen nga 2000 vëzhgues, nga të cilët 1078 janë vendas dhe 770 vëzhgues të huaj. Zgjedhjet do të ndiqen nga 66 gazetarë të huaj.

 

/rtsh.al/

Misioni i OSBE/ODIHR ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë. Zgjedhjet do të monitorohen nga 138 vëzhgues nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, komisioni ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 33 vëzhgues, si dhe 68 vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Shkup.