RTSH 24 Live

Sociale

Erozioni në Kune të Shëngjinit - Fenomeni që nuk ndalet, mungojnë dallgëthyeset

11/11/2024

Erozioni në Kune të Shëngjinit - Fenomeni që nuk ndalet, mungojnë dallgëthyeset

Erozioni detar në zonën e mbrojtur të Kunes në Shëngjin po avancon në mënyrë të frikshme duke gërryer e çuar në det rërën e plazheve dhe sipërfaqe të mëdha toke. Brezi i gjelbër i pishave po dëmtohet.

Të pasionuarit e gjuetisë së peshkut me grep që e ushtrojnë këtë sport prej vitesh, në këtë bregdet, e shikojnë nga afër rrezikshmërinë që paraqet ky fenomen dhe apelojnë për ndërhyrje.

Eksperti i mjedisit Jak Gjini bën të ditur se që nga viti 1970, në zonën e mbrojtur të Kune-Vainit, fenomeni eroziv ka avancuar së paku me 400 metër duke gërryer e çuar në det një sipërfaqe toke prej 360 hektarë. Sipas tij ndërtimi i dallgëthyeseve horizontal me bregun minimizon pasojat e këtij fenomeni.

“Llogaritet që nga vitit 1969 deri sot të paktën 362 hektar të kenë humbur si rezultat i erozionit. Ndërtimi i këtyre dallgëthyeseve paralel me bregun do të bëjnë një mbrojtje të bregut dhe do të parandalojnë avancimin e erozionit”, u shpreh eksperti i mjedisit Jak Gjini.

Në këto kushte alarmuese Agjencia e Zonave të Mbrojtura bashkë me Agjencinë e bregdetit duhet të insistojnë në institucionet përgjegjëse për financimin e projekteve që parandalojnë dhe stopojnë këtë fenomen me pasoja për bregdetin e Kunes dhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë!

Gazetar: Rrok Lelçaj

/RTSH/