Nga 1 tetori, të gjitha familjet që konsumojnë mbi 800 kilovat energji në muaj, do ta paguajnë me 42 lekë/kilovati. Enti Rregullator i Energjisë miratoi sot vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh për abonentët familjarë. Vendimi i marrë nga Enti Rregullator i Energjisë do jetë në fuqi deri më 31 dhjetor, kur do të rishikohet sërish.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) aplikoi në ERE që prej 20 shtatorit për vendosjen e fashës prej 800 kilovatësh, bazuar mbi vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të Aksionerëve të KESH të cilët kanë përcaktuar që çmimi për konsumin mbi 800 kilovat në muaj për konsumatorët familjarë të jetë 34.3 lekë për kilovat.
“Bazuar në nevojën për të ardhura për shkak te rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jete 42 lekë për kilovat për konsumin familjar mbi 800 kilovat në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike”, u shpreh më herët përfaqësuesi i FSHU.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku, reagoi pas këtij vendimi, duke e konsideruar rritjen e çmimit të energjisë për fashën mbi 800 kilovat të pajustifikuar. Ajo akuzoi qeverinë se nuk po i mbron qytetarët.
“Çmimi i energjisë është rritur për 75% në vitin 2015. Kjo ka sjellë një rritje të përgjithshme të çmimeve dhe një rritje të varfërisë. Është fatkeqësi pasi 500 milionë euro kanë marrë kompanitë e energjisë për përballimin e krizës. Do të prekën familjet me më shumë fëmijët. ERE dhe qeveria shqiptare duhet të kenë interesin qytetarëve por fatkeqësisht nuk e patën”, tha Tabaku.
Teksa e gjithë Europa është prekur nga kriza e energjisë elektrike, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se edhe Shqipërinë e pret një dimër i vështirë. Ai ka theksuar se qeveria do të punojë që të mos ketë kufizime të energjisë dhe ndryshim të çmimit për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
/rtsh.al/