RTSH 24 Live

Art

Ekspozitë për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

02/12/2020

Ekspozitë për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë

Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviçit vranë rreth 15 mijë shqiptarë ku 1 mijë e 133 prej tyre ishin fëmijë. Ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur ndërsa 20 mijë llogaritet numri i grave, burrave e fëmijëve të përdhunuar gjatë luftës. Një ekspozitë në Prishtinë kujton fëmijët e vrarë ose të zhdukur gjatë periudhës 1998-2000 në Kosovë.

30 objekte personale që u përkisnin këtyre fëmijëve janë shfaqur në një ekspozitë në Qendrën e Dokumentimit në Prishtinë.

“Shumica prej tyre tregojnë jetën e fëmijëve por disa janë rrobat që ata kishin veshur në momentin kur janë kryer krimet”, thotë Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë.

Qëllimi i ekspozitës, është mësimi nga e kaluara.

“Mesazhi i ekspozitës është që të mos harrohet e kaluara dhe të sigurohemi se ajo nuk përsëritet askund, sepse fëmijët nuk duhet të jenë viktima të asnjë krimi në asnjë vend të botës”, thotë zonja Dedi.

Fadil Muqolli viziton ekspozitën, ndërsa mban në duar fotografinë e djalit të tij 4 vjeçar.

"Është ndjenë e vështirë për mua. Sepse po i shoh fëmijët e mi të cilët nuk e kanë vendin në këtë mur, ata ishin të pafajshëm” shton ai.

Ai humbi katër fëmijë në një masakër.

Familja e zotit Muqolli u ekzekutua në shtëpinë e tyre në Poklek më 13 prill 1999.

Vrasjet thotë ai u kryen për shkak të lidhjeve të tyre familjare me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Gjatë masakrës, 53 persona ishin në dhomë, babai dhe xhaxhai u nxorrën jashtë për pushkatim, 51 ngelën brenda, përfshirë 23 fëmijë të moshës prej 6 muaj deri 17 vjet. Katër nga ta ishin fëmijët e mi”, thotë ai.

Në vendin e krimit, ende egzistojnë gjurmët e masakrës.

"Masakra është kryer në dhomën në katin e dytë, ndërsa gjaku ka rrjedhur nga tavani”, shpjegon Fadil Muqolli i cili humbi katër fëmijë në këtë masakër.

Për zotin Muqolli pjesëmarrja në ekspozitën që kujton këtë dhe shumë krime tjera gjatë luftës në Kosovë, nuk ishte e lehtë.

Por, përkundër vështirësive, ai thotë se ekspozita është e rëndësishme sepse ndihmon të tjerët të përjetësojnë kujtimin për fëmijët që humbën.

"Është e rëndësishme, jo për mua, sepse unë kurrë nuk do t’i harroj. E kam muzeun në zemrën time”, shton zoti Muqolli.

Qendra kosovare e Dokumentimit shpreson që ekspozita të shndërrohet në një muze të përhershëm.