RTSH 24 Live

Art

Ekspozita "Ëndrra metalurgjike" - formë reflektimi për tranzicionin

05/03/2024

Ekspozita "Ëndrra metalurgjike" - formë reflektimi për tranzicionin

Artisti Ardian Isufi ka çelur ekspozitën e tij të titulluar "Ëndrra metalurgjike" në qytetin e Barit, në ambientet e teatrit "Kursaal Santalucia" i frymëzuar nga historia e bunkerit të shndërruar në kishë nga banorët në Lin të Pogradecit, artisti e ka çuar këtë histori të jashtëzakonshme para publikut italian.

Isufi thotë se e ka sjellë këtë në një formë reflektimi për tranzicionin që ka ky objekt.

"Është shumë komplekse në fakt. Ka vepra të cilat gjykojnë historinë, politikën, konceptet e utopisë, konceptet e izolimit, diktaturat dhe formatet e tyre jo vetëm në kuptimin që ne e kemi kaluar dhe diktaturën si koncept, si qëndrim. Në këtë lloj rrugëtimi vjen edhe ky bunker-kishë, të cilin unë e sjell si një artefakt të një ngjarjeje në fshatin Lin të Pogradecit. Atje një bunker-tip i periudhës së diktaturës sonë është kthyer në një kishë rituali ortodoks," tregon z. Isufi.

Artisti tregon se kemi jo vetëm një shkëmbim të identiteteve dhe dialogut, por edhe një reflektim të fortë mbi artin bashkëkohor e pamor.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të marsit, ndërsa ka pasur një interes edhe nga gjeneratat e reja.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/