RTSH 24 Live

Aktualitet

Durrësi pas përmbytjeve, Ujësjellës Kanalizime Durrës në terren për pastrimin e kanaleve

25/11/2022

Durrësi pas përmbytjeve, Ujësjellës Kanalizime Durrës në terren për pastrimin e kanaleve

Pas reshjeve të dendura të shiut, Ujësjellës Kanalizime Durrës po merret me pastrimin e pusetave dhe kanalizimeve të bllokuara. Prej 5 ditësh, 6 grupe janë shpërndarë në terren me punëtorë dhe mjete për zhbllokimin e kanalizimeve të ujërave të shiut si dhe ato që janë të përziera me ujërat e ndotura.

Përgjegjësi i sektorit të kanalizimeve Bledar Metalla shprehet se pavarësisht reshjeve dhe përmbytjeve në disa pjesë të qytetit, situata ka qenë e mirë përgjithësisht dhe shumica e rrugëve kanë qenë të kalueshme.

Në qytetin e Durrësit janë disa zona që përmbyten rregullisht, siç është kryqëzimi pranë stadiumit dhe rrugët në lagjen 17 tek sigurimet shoqërore.

Në lidhje me këtë problem, Metalla shprehet se të gjithë ujërat në këtë zonë përqendrohen vetëm tek një stacion pompash, në të cilin është llogaritur një rezervë për raste të tilla, por përmbytjet ndodhin për shkaqe të ndryshme. Ai shton se situata do të ndryshojë dukshëm sapo të vihet në funksion kanali që po ndërtohet në zonën e  kodrës së qytetit.

Gjatë ditëve me reshje stacionet e pompave kanë punuar rregullisht, të cilët janë ndërtuar përgjatë zonës bregdetare nga Shkëmbi i Kavajës drejt impiantit të trajtimit. Një pjesë tjetër gjenden në zonën nga Currilat dhe mundësojnë pompimin e ujërave të ndotura së bashku me ujërat e shiut në ato pjesë të qytetit ku kanalizimet janë të përziera.

/rtsh/