RTSH 24 Live

Aktualitet

Dukagjin, krismat e armëve i marrin jetën babait, i biri në gjendje të rëndë  

27/09/2023

Dukagjin, krismat e armëve i marrin jetën babait, i biri në gjendje të rëndë  

Dukagjini është tronditur të mërkurën nga krismat e armëve, ku sipas të dhënave të para mësohet se ka një viktimë dhe një të plagosur rëndë. Nga burime policore mësohet se kemi të bëjmë me një skemë atentati ndaj dy personave, që janë babë e bir.

Informacionet pranë vendit të ngjarjes bëjnë fjalë se viktima të këtij atentati janë shtetasit Zef Guri (viktima), ndërsa i plagosur është djali i tij, Gjin Guri, i cili është nisur me ambulancë drejt Tiranës. Mësohet se ai ka marrë tre plumba në këmbë dhe një në kokë.

Forca të shumta policie janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të nisur hetimet paraprake rreth kësaj ngjarje të rendë. Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i vrasjes.

Autori, pas krimit, është larguar në drejtim të paditur. Mësohet se Gjin Gurit në nëntor të vitit 2021 i është vendosur një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.

"Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G. Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma. Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër," njofton policia.

Në drejtim të Dukagjinit mësohet se janë nisur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, shërbime të Repartit Special RENEA dhe FNSH-së, ekspertë kriminalistë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve të Rënda nga Departamenti për Policinë Kriminale në DPPSH, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Në foto, Gjin Guri i arrestuar në 2015

Kush ishte shënjestra e atentatit?

Zef Guri zyrtarisht ka ndërruar jetë pas breshërisë së plumbave, ndërsa i biri, Gjin Guri, ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Por kush ishte realisht shënjestra e atentatit? 

Më 15 nëntor të vitit 2021, Gjin Gurit i është vendosur tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit, në Dukagjin. Pronari i lokalit, Gjin Guri, që duket se ishte shënjestra e sulmit me lëndë plasëse, është një person me precedent penal. Ai rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Në atë periudhë, Gjin Guri ishte një person në kërkim. Ai dyshohej si personi që qëlloi ndaj Policisë 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç,” thuhet në njoftimin e Policisë më 27 shtator 2015.

/rtsh.al/