RTSH 24 Live

Politikë

Dosja "Xibraka" - Bardhi: Rama të mos fshihet pas prokurorëve dhe Policisë së tij

03/04/2024

Dosja "Xibraka" - Bardhi: Rama të mos fshihet pas prokurorëve dhe Policisë së tij

Deputeti demokrat Gazment Bardhi i bëri sërish thirrje kryeministrit Edi Rama t'i përgjigjet atij në interpelancë për çështjen "Xibraka" dhe të mos përdor pushtetin për të ruajtur vëllain e tij nga akuzat se ka qenë pjesë e një grupi kriminal.

Reagimi i Bardhit erdhi pasi kreu i qeverisë deklaroi se nuk e justifikonte dot kërkesën për interpelancë rreth çështjes që demokratët thonë se implikon drejtpërdrejt familjarin e tij të ngushtë në një laborator për prodhimin e kokainës në rrethinat e kryeqytetit.

"Pas gjashtë ditësh, kryeministri Edi Rama e theu frikën e parë dhe vendosi të mos fshihet pas deklaratave me shkrim që i bënte në emër të vëllait. Por të ruajë statusin e tij si kryeministër do i duhet të thyejë edhe frikën tjetër, atë të zbatimit të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit dhe zhvillimit të interpelancës në seancën e nesërme. Sipas Kushtetutës, një kryetar i një grupi parlamentar ose 7 deputetë kanë të drejtën kushtetuese dhe parlamentare për të thirrur në interpelance kryeministrin dhe çdo anëtar të Këshillit të Ministrave. Sqarimi se e kam thirrur për një çështje private dhe jo për veprimtarinë e tij si kryeministër është një gënjeshtër që rrëzohet nga analiza e kërkesës sime për interpelancë.

Edi Ramën nuk e kam thirrur si vëllain e Olsi Ramës për të na shpjeguar raportin familjar me të, por për të informuar opinionin publik nëse nga Policia e Shtetit apo shërbimet sekrete - shqiptare apo të huaja - ka marrë apo jo informacion për përfshirjen e vëllait të tij në laboratorin e drogës në Xibrakë apo për shoqërimin e vëllait të tij me personat kyç të përfshirë, të arrestuar, një pjesë të dënuar, në laboratorin e Xibrakës. Padyshim që dënimi dhe fajësia janë çështje e drejtësisë dhe ky ka qenë apeli im kur e kam denoncuar me dokumente zyrtare, të cilat ndodhen në dosjen e Prokurorisë. Edi Rama nuk ka guxuar të kundërshtojë përmbajtjen e këtyre dokumenteve.

Denoncimi im që është shoqëruar edhe me thirrje për drejtuesin e Prokurorisë për të rihapur procedimin penal 335/1 i vitit 2016 synon ekzaktësisht atë që gjykatat kanë thënë, se hetimi për laboratorin e Xibrakës të jetë i plotë dhe t'i shkohet deri në fund. Vendimet e gjykatës thonë që në veprimtarinë e grupit, një person i moshës 45 vjeç, përdorues i makinës me targa AA653DM nuk është identifikuar dot nga Policia e Edi Ramës. Pra i kanë gjetur fiks moshën, por nuk i dinë emrin. Të dhënat e sistemit TIMS thonë që Olsi Rama është përdorues i automjetit," tha z. Bardhi në një konferencë për shtyp nga selia blu.

/rtsh.al/