RTSH 24 Live

Aktualitet

DOSJA/ Vetë-dorëzohet në polici ish- drejtori i ALUIZN-it në Sarandë, Mariel Murati, ndërtoi në mënyrë të paligjshme

27/03/2024

DOSJA/ Vetë-dorëzohet në polici ish- drejtori i ALUIZN-it në Sarandë, Mariel Murati, ndërtoi në mënyrë të paligjshme

Ishte emëruar në krye të ALUIZN-it për të zbatuar ligjin, por ish- drejtori i ALUIZN-it në Sarandë, Mariel Murati, duket se ishte kujdesur për të bërë vetë ndërtim të paligjshëm dhe më pas për ta legalizuar për llogari të tij.

Nisur nga kjo Prokuroria e Sarandës nisi hetimet duke e akuzuar Muratin për ndërtim të paligjshëm dhe më pas legalizimin e një hoteli 7-katësh në Sarandë. Kjo çoi në ndalimin e 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, si dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, përfshirë edhe pronarin e hotelit, i cili ishte njëkohësisht edhe ish-Drejtor i ALUZIN-it, Sarandë.

Pas dy javësh në arrati, Murati është vetë-dorëzuar në policinë e Sarandës, për tu përballur me akuzat e drejtësisë.   

Dosja hetimore  

Referuar dosjes hetimore, informacioni për këtë rast është referuar nga Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë më 17 janar 2024, ku flitet për legalizimin në kundërshtim me ligjin të një objekt me 7 kate, në lagjen nr. 4, Sarandë, në pronësi të Mariel Muratit.

Nisja e hetimeve nga Prokuroria, zbuloi se Murati fillimisht në vitin 2017 ka blerë nga shtetasit A. P dhe F. P një objekt kundrejt shumës 133 milionë e 350 mijë lekë të vjetra.

Objekti, sipas prokurorisë, ishte pikërisht “pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 470 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 170 m2. Kjo pronë, sipas përshkrimit të veçantë, ekziston në termat lokal si hotel me 4 kate”.

Roli i ekspertëve

Ekspertët Flora Fejzaj dhe Yzeir Muço, kanë realizuar aktin e ekspertimit datë 4.3.2024, nga ku, sipas tyre, ka rezultuar se: “Objekti “Yacht Hotel” i ndodhur ne ZK nr. 8641, nuk është i ndërtuar nga objekti 4 kate, si në gjendje teknike fillimi sipas lejes së ndërtimit 2003, por objekti aktual me 7 kate, legalizuar me vendim nr. 342/2021 të ASHK Sarandë, është objekt totalisht i ri, i ndërtuar pas prishjes totale të objektit me 4 kate dhe i ndërtuar pjesërisht mbi sipërfaqen e ndërtimit të objektit me 4 kate, “brenda” në pasurinë truall nr. 26/385 sip. 470 m2.

Veprimet ndërtimore të konstatuara të kryera në fakt, përbëjnë “ndërtim” dhe duke qenë se nga akti rezulton në krijimin ndërtim i ri, kërkojnë domosdoshmërisht pajisjen me leje ndërtimi.

“Pamjet nga Ortofoto provojnë se në korrik 2003, objekti në fakt është me 4 kate, me mbulesë çati dhe 1 kat mbulesë soletë. Gjendja teknike e objektit është e njëjtë edhe në vitet 2006, 2010, 2013, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019 deri në gusht të vitit 2020 dhe pas 6 muajsh, nga 2/2021 deri në pamjet e fundit dhe aktualisht, është me 7 kate.”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Raporti i KLSH

Me raportin përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 313 të vitit 2023, është përcjellë pranë ASHK Drejtoria Vendore Sarandë me shkresën nr. 313/40, datë 09.10.2023 konstatimi për miratim të lejeve jashtë afatit ligjor dhe janë lënë rekomandimet për nisjen e procedurave të shfuqizimit të vendimeve.

Sa më sipër, me urdhrin nr. 1125, dt. 21.10.2023 është vendosur masa e kufizimit mbi pasurinë e shtetasit Mariel Murati, përfituar me leje legalizimi nr. 342, datë 15.04.2021.

“Gjithashtu, nga dosja e sekuestruar pranë ASHK Sarandë, nuk rezulton asnjë kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Sarandë apo IVMT, pranë Bashkisë Sarandë. Sa më sipër, nga ana e ASHK evidentohen një sërë shkeljesh: Referuar procedurës së ndjekur nga DVASHK Sarandë, nuk evidentohet periudha në të cilën është bërë ndërtimi pa leje dhe se si ky institucion ka arritur në përfundimin se ndërtimi pa leje është bërë para afatit ligjor (07.05.2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji 20/2020).”, thuhet në dosje.

Ndërsa, me IKMT nga konfirmimet që ka realizuar ASHK me Shkresën nr.2893prot, datë 09.04.2021, nga IKMT me kthim-përgjigjen nr. 1613/1prot Datë 13.04.2021 është kthyer përgjigje se nuk administrohen akte administrative (pra nuk janë mbajtur procedura).

/rtsh.al/