Milorad Dodik u dënua me një vit burg dhe 6 vjet ndalim për të ushtruar detyrën e presidentit të Republikës Sërpska, por ai ka deklaruar se nuk e njeh dhe nuk do ta respektojë vendimin e gjykatës së Bosnjës.
Në një intervistë për gazetën italiane "La Repubblica", ai tha se nuk do e pranojë dënimin, pasi sipas tij është vendim politik dhe gjykata e ngritur "është krijuar vetëm për të dënuar etninë serbe".
"Jam dënuar se një gjerman i quajtur Christian Schmidt, i cili në të kaluarën kishte simpati për ideologjinë naziste, nxori një dekret sipas të cilit kushdo që nuk respekton vendimet e tij kryen një krim," tha ai.
Dodik shtoi se nuk kërkon shkëputjen e Republikës Sërpska, megjithëse detyroi parlamentin që të miratonte një ligj që shpall të jashtëligjshëm aktivitetin e institucioneve boshnjake.
Ai po ashtu theksoi se kërkon paqe, por shprehu dhe ambicien për të ndërtuar një ushtri.
Presidenti i Republikës Sërpska u dënua më 26 shkurt me 1 vit burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyrën e presidenti për 6 vjet, pasi refuzoi të zbatonte direktivat e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt.
Dodik gjithashtu është i shpallur non grata nga SHBA.
Ai është futur dy herë në listën e zezë amerikane për shkak të aktiviteteve të tij kundër Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të arritur më 1995.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/