Gazetarja Lusi Përgjegji ka sjellë për emisionin “Jetë Shqiptare” detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë, ku një 2-vjeçare u dërgua në spital me shenja djegieje të shkaktuara nga cigarja.
E mitura u dërgua në spital nga halla e saj me pretendimin se kishte ftohje, por sipas gazetares, mjekët kanë konstatuar se në trupin e 2-vjeçares kishte plagë të infektuara pas djegies me cigare.
Përgjegji sqaroi se djali 9-vjeçar, vëllai i së miturës, ka pranuar në prezencë të psikologes se është ai shkaktari i ngjarjes.
“Sot janë bërë dy ekspertiza mjeko-ligjore për vajzën: njëra se vajza dhe mund të jetë abuzuar seksualisht dhe tjetra për të verifikuar kohën kur janë bërë plagët. Në rezultatin e parë të ekspertizës ka rezultuar se nuk është abuzuar, ndërsa në ekspertizën e dytë rezultoi se plagët janë marrë 5-6 ditë para sjelljes në spital.
Ditën e djeshme vajza u transportua në reanimacion. Vajza është në gjendje të stabilizuar, ndërsa djegiet janë të gradës së dytë," u shpreh gazetarja Përgjegji.
Komisariti nr.4 mësohet se ka nisur procedurën për t’i dërguar të miturit te shërbimi social, pasi prindërit, "në gjykimin e komisariatit, nuk ishin në gjendje të kryenin detyrën e prindërimit".
“Po ashtu edhe djali 9-vjeçar i cili nuk ndodhet në një gjendje të mirë psikologjike, për shkak të plagëve që i ka shkaktuar motrës, ndonëse nuk i ka treguar shkaqet,” sqaroi gazetarja.
/rtsh.al/