RTSH 24 Live

Politikë

Dilema e analistit Neza: A i do PS zgjedhjet e parakohshme!?

12/02/2024

Dilema e analistit Neza: A i do PS zgjedhjet e parakohshme!?

‘PS ndez motorët, PD pret bashkimin’ ka qenë tema e emisionit të së hënës në mbrëmje në emisionin ‘3D’ në RTSH të drejtuar nga Alban Dudushi. Analisti, Sami Neza shprehu dilema nëse kryeministri, Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, është apo jo për zgjedhje të parakohshme, duke pasur parasysh se ndryshe nga herët e tjera “ai po e vë më shpejt në lëvizje partinë për të shkuar në zgjedhje”.

“Ky është një zakon i Ramës, i cili një vit përpara zgjedhjeve po bën një riorganizim të PS-së dhe kërkon që të gjitha strukturat të dalin nga letargjia e pushtetit. Rama ka ndërtuar një strukturë efikase elektorale, pavarësisht se në këndvështrimin tim ajo bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor siç janë patronazhistët, që cënojnë të dhënat personale, negocimi i votave dhe presioni. Nuk është thjeshtë një operacion i PS mbledhja e Asamblesë, por është pak më e gjerë. Ai po lëviz me partinë më herët se herët e tjera. Mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme. Ka arsye për zgjedhje të parakohshme, por ka dhe arsye për të mos i zhvilluar ato. Partitë korruptohen nga pushteti dhe kur shohin vështirësi bëjnë zgjedhje të parakohshme. Fiton kohë për rikuperim qeverisës. Mendoj se kundër është argumenti se nuk fiton ndonjë gjë të madhe. Është një dilemë që ha debat. Debatet brenda PS janë më shumë çështje refleksioni pasi aty tashmë ka një pol të Ramës dhe një të Veliajt”, tha Neza.

/rtsh.al/