Ngjarja që shokoi mbarë opinionin publik, ku mbeti i vrarë një ditë më parë një 14-vjeçar, është diskutuar në një nga gjimnazet e Elbasanit me mësuesit e “Ahmet Daklit”.
Njëzëri ata kanë kërkuar forcimin e trinomit mësues-prindër-nxënës.
"Ngjarje të tilla, me thënë të drejtën, janë të vazhdueshme dhe mendoj që një punë shumë e madhe na përket ne si mësues, pastaj prindërve, pastaj shoqërisë," u shpreh Albana Vrapi, mësuese e edukimit fizik.
Në kuadër të sensibilizimit, kundër dhunës janë sjellë në vëmendje edhe elemente të fuqizimit nëpërmjet vetëmbrojtjes.
"Kjo ndihmon jo vetëm për parandalimin, si të pajisim të rinjtë dhe të rejat me aftësi për të parandaluar dhunën dhe të dinë si të mbrohen, por edhe si të respektojnë kufijtë e tjetrit," tha Gentiana Susaj, drejtuese e ESD Albania.
Vetë të rinjtë në Elbasan u shprehen të tronditur për ngjarjen, ndërsa thonë se konfliktet mes adoleshentëve, veçanërisht djemve, janë të shpeshta.
"Kemi mësuar se si mund t'i kundërvihemi djemve ose vajzave, sepse kemi raste edhe të vajzave," thotë Natalia H.
"Unë u trondita. Ishte gjë që nuk e prisja, që dy shokë të zihen dhe të ndodhë ai lloj fenomeni," tregon Debora K.
Sipas psikologëve, shoqëria jonë vijon të përfshihet nga episodet e dhunës. Ato rëndom ndodhin në familje, shoqëri dhe mjediset shkollore, ndaj ngrenë alarmin se institucionet duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim, por dhe familja të jetë më e pranishme në rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
"Kemi nevojë që në familje të rishikojmë dhe të rimarrim dimensionin e marrëdhënieve cilësorë. Kemi nevojë që në shkollë të kemi një klimë tjetër, jo kaq konfliktuale, bullizuese, por gjithashtu kjo duhet të na reflektohet edhe në sistemet e tjera, institucionale dhe shtetërore," shpjegon psikologia Mirela Gjoni.
Viti shkollor 2022–2023 ka shënuar 2750 raste dhune në shkollat e vendit.
Dhuna është shkaktuar kryesisht nga nxënësit, por nuk kanë munguar rastet ku shkak të kenë qenë mësuesit. Sociologët shpesh herë kanë thënë se fenomeni mund të parandalohet nëpërmjet edukimit, pasi dhuna është veç e fituar dhe jo e lindur.
/rtsh.al/