RTSH 24 Live

Kosova

Dhomat e Specializuara në Hagë, publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

05/11/2020

Dhomat e Specializuara në Hagë, publikojnë aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit
Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo aktakuzë, prej 68 faqesh, është konfirmuar më 26 tetor 2020, thanë Dhomat e Specializuara.

Veprat që rëndojnë nga Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore "dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”), kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjenden në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Krasniqi u transferua atje më 4 nëntor, ndërkaq, Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, udhëtuan drejt Hagës më 5 nëntor. Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.