RTSH 24 Live

Politikë

Pogradec- Berisha: Do të krijojmë koalicionin më të gjerë që ka njohur Shqipëria që nga ‘91

4 orë para

Pogradec- Berisha: Do të krijojmë koalicionin më të gjerë që ka njohur Shqipëria që nga ‘91

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një takimi të shtunën me aktivistë dhe urbanistë të qytetit të Pogradecit, deklaroi se ky qytet ndodhet para një agresioni mafioz që synon t’i zhdukë identitetin e tij.

Sipas tij, pas projekteve për ndërtimin e kullave në qytetin e Pogradecit, janë organizatat kriminale më të rrezikshme të Evropës dhe botës.

“Këtu u tha se janë 120 studio arkitekturore botërore. Dhe natyrisht kjo është risi pozitive, por problemi është se prapa projekteve të tyre janë organizatat kriminale më të rrezikshme të Evropës dhe botës. Janë ato organizata që me fuqinë e tyre kanë shtrirë përdhe monedhën e BE-së dhe dollarin amerikan, i kanë zhvlerësuar në mënyrë të pamëshirë 30-40 për qind të tyre, duke ndëshkuar në këtë mënyrë, në mënyrë apo një tjetër, çdo qytetar shqiptar që jeton me ndershmëri dhe djersën e tij”, tha Berisha.

Sipas tij, UNESCO-ja që vlerësoi Ohrin, qytetin, liqenin i vlerësoi me identitetin që ky qytet trashëgoi brez pas brezi, gjeneratë pas gjenerate.

“Tani dalin mafioz dhe ndërtojnë kulla. I zënë sytë. Makabër është projekti i Linit, që nga një anë themi vendbanimi më i vjetër i Evropës, tani duan ta kthejnë në Linin e betonit. Në mënyrë absolute Edi Rama personalisht dikton kush do marrë lejen, si do të bëjë shpronësimin, me kë do bisedojë për shpronësimin, s’ka rëndësi se nuk ka paret. Dhe këta duan të tërhiqet UNESCO. Këta nuk duan që UNESCO-n ta ketë Pogradeci, sikundër nuk duan ta ketë Butrintin”, u shpreh ai.

Berisha, gjatë vizitës në Pogradec, zhvilloi edhe një takim me degën e Partisë Demokratike të qytetit, ku u kremtua edhe 34-vjetori i themelimit. Berisha theksoi se në 34-vite, PD u faktua lokomotivë e zhvillimit, e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi, e integrimit të saj në institucionet euroatlantike.

Ai u shpreh se do garantojnë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve dhe që do të mbrojnë në çdo kohë dhe në çdo rast, interesin kombëtar të shqiptarëve.

“Natyrisht, çdo përvjetor dhe ky përvjetor është një moment që ne të përulemi me nderimin më të madh para atyre djem dhe vajzave, gra dhe burra që 34-vite më parë në kushte, e vërteta është, terrori të shumë anshëm, firmosën dhe themeluan këtu partinë Demokratike si parti të idealeve të lirisë, si parti të dinjitetit njerëzor, si parti të interesit kombëtar të shqiptarëve. ADN-ja jonë, është një ADN virtytesh e tolerance, e respektit dhe e mbrojtjes së të vërtetave. Pikërisht, se jemi të tillë u përçamë dhe menduan se morëm fund. U bashkuam dhe jemi më të fuqishëm se asnjëherë. Ndaj dhe, me këto virtyte tona sot kemi një detyrë, më e madhja për ne që është, krijimi i frontit më të gjerin që ka njohur Shqipëria që nga viti 1991″, tha Berisha, i cili, gjatë një prononcimi për gazetarët, i pyetur për zgjedhjet, deklaroi se do të krijojë koalicion edhe me Partinë e Lirisë, si dhe me parti të tjera për të garantuar fitoren.

/rtsh.al/