RTSH 24 Live

Rajon

Dështojnë bisedimet urgjente Kosovë- Serbi, Borrel: Kurti dhe Vuçiç mbajnë përgjegjësi të plotë

21/11/2022

Dështojnë bisedimet urgjente Kosovë- Serbi, Borrel: Kurti dhe Vuçiç mbajnë përgjegjësi të plotë
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell

Kosova dhe Serbia dështojnë në arritjen e një marrëveshje për çështjen e targave. Lajmi është bërë i ditur nga vetë përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas takimit urgjent të zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Borrell, në një konferencë për shtyp pas takimit, bëri të ditur se BE-ja paraqiti një propozim, i cili u pranua nga Vuçiç, por që është hedhur poshtë nga Kurti.

“Për fat të keq nuk kemi një marrëveshje sot, pasi ata nuk ranë dakord për një zgjidhje”,- tha Borrell përpara mediave.

Sipas tij, krerët e të dy vendeve mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e negociatave, si dhe për çdo përshkallëzim të situatës në Veri të Kosovës. 

“Të dy mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve sot, si dhe për çdo përshkallëzim, ose dhunë, që mund të ndodhë në terren. Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme, propozim të cilin presidenti Vuçiç e pranoi, ndërsa kryeministri Kurti, jo”,- tha Borell.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së theksoi në fjalën e tij se pret nga Kosova që të ndalojë gjatë fazës së ardhshme çështjen e gjobave, ndërsa Serbia të ndalojë dhënien e targave të reja. Newsroom.consilium.europa

/rtsh.al/