Në shenjë proteste, duke mos u lejuar të hyjnë në Kuvend për shkak se janë përjashtuar përkohësisht, deputetët demokratë të enjten (31 tetor) u ulën në tokë para Kuvendit.
Garda kishte krijuar një kordon mbrojtës për të mos lejuar hyrjen e të përjashtuarve, ndërsa ndryshe nga herët e tjera opozitarët zgjodhën të mos reagojnë fizikisht, por të ulen në shenjë proteste.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, tha se opozita po trajtohet si armik.
"Vazhdon regjimi që i shpall luftë opozitës, siç e shikoni ajo sallë duhet të ishte e haur për deputetët, por është e mbyllur se Elisa Spiro-Gjoka 5 mln euro së bashku me sulltan Surrelin i kanë shpallur luftë opozitës që monizmi të mbijetojë në Shqipëri. Ne jemi në betejë pa kthim për demokracinë në vend. Ne Nuk tërhiqemi se përfaqësojmë popullin opozitar. Në këtë sallë janë përfaqësuesit e krimit dhe drogës. Ne po trajtohemi si armiq", tha Noka.
I pyetur nëse opozita do të ngujohet në Kuvend, Noka tha se opozita do të zbatojë të 77 hapat që njeh mosbindja civile deri në arritjen e një zgjidhjeje politike.
“Janë 77 hapa që mosbindja civile i njeh si formë reagimi dhe ne do i zbatojmë. Ne kemi ezauruar vetëm dy hapa deri tani. Deri sa të jepet zgjidhej politike ne nuk ndalemi dhe do implementojmë edhe 75 hapat e tjerë”, tha Noka.
Gjatë fjalës së tij deputeti demokrat Asllan Dogjani tha se qeveria nuk mund të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pasi "është kapur nga krimi dhe korrupsioni".
“Fëmijët po theren me thika në gjimnaz, jemi bërë si xhungël. Nuk ju vjen turp këtyre që janë në krye, janë kriminel dhe duhet të çohemi të gjithë bashkë kundër këtij pushteti të korruptuar dhe të lidhur me krimin. policia bashkëpunon me bandat e krimit. Sot kemi një president kukull që është në varësi të kryeministrit. Si i ndalojnë deputetët e opozitës të hyjnë brenda. Për çfarë jemi të përjashtuar për 60 ditë? Ne jemi të votuar nuk kanë të drejtë të na ndalojnë”, tha Dogjani.
24 deputetët e opozitës janë përjashtuar pas kaosit të shkaktuar brenda seancës dhe pas djegies së karrigeve në hyrje të Kuvendit për të kundërshtuar arrestimin e ish-deputetit Ervin Salianji.
/rtsh.al/