RTSH 24 Live

Aktualitet

COP29, Balluku-Kumbaro: Shqipëria, shembull për biodiveristetin dhe energjinë

12/11/2024

COP29, Balluku-Kumbaro: Shqipëria, shembull për biodiveristetin dhe energjinë

Shqipëria do të prezantojë në Baku, Azerbajxhan, gjatë punimeve në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP29, modelin e saj të mbrojtjes së mjedisit përmes burimeve të rinovueshme të energjisë.

Zv. Kryeministrja dhe njëherazi Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, nga Baku, Azerbajxhan, bënë të ditur se gjatë paneleve të cilat në fokus kanë ndryshimet klimaterike, Shqipëria do të ofrojë shembullin e saj për biodiveristetin dhe për energjinë.

Zv/Kryeministrja Balluku, në mesazhin e saj nënvizon strategjinë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për diversifikimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

“Shqipëria do ketë prezantim në të gjitha panelet ku do të flitet për energjinë e rinovueshme për të dhënë shembullin e saj më të mirë. Shqipëria, në bazë të një strategjie kombëtare, ka nisur diversfikimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, duke kaluar  nga burimet hidro në ato solare apo të erës. Dhe i gjithë kjo eksperiencë do të ndahet në panelet e organizuara nga shtetet, apo mbështetësit, siç janë BB..etj”, thekson Balluku.

Ajo mbyll mesazhin e saj, duke nënvizuar se prania e Shqipërisë në këtë forum është me qëllim për të dhënë më të mirën sa i përket mjedisit dhe energjisë.

Minstrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në meazhin e saj tha se Shqipëria nuk është një vend që ndot mjedisin, pasi 100% të prodhimit të energjisë e ka nga burime të rinovueshme.

“Ju përshëndesim nga BAKU, në COP 29, ku delegacioni ynë me në krye kryeministrin Edi Rama, ka ardhur sot për të prezantuar dhe për të marrë pjesë në samitin e liderëve botëror për ndryshimet klimatike.

Shqipëria nuk është vend që ndot, është me 100% energji të rinovueshme, por mund të ofrojë një shembull me modelin e saj të vogël për biodiveristetin dhe për energjinë”, nënvizon Kumbaro.

Në fund të fjalës së saj, Kumbaro kujtoi dhe vëmendjen që qeveria i ka kushtuar parkut kombëtar të lumit Vjosa. “Mos harroni dhe Vjosën, parku kombëtar të lumit të fundit të egër në Europë,  model i vogël, por i vetmi.”, tha Kumbaro.

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke vendosur kështu edhe tonin për negociatat dyjavore. Një pritshmëri kryesore nga COP29 është marrëveshja për një Objektiv të Ri Kolektiv të Kuantifikuar (NCQG) të drejtë dhe ambicioz për financimin e klimës.

Katërmbëdhjetë nismat e propozuara nga Presidenca e COP29 përfshijnë integrimin e veprimit klimatik me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, zhvillimin e korridoreve të energjisë së gjelbër, krijimin e zgjidhjeve të ruajtjes së energjisë së gjelbër, avancimin e hidrogjenit të pastër, reduktimin e metanit nga mbetjet organike dhe promovimin e veprimit digjital të gjelbër.

Këto iniciativa synojnë të gjenerojnë financa për klimën, thelbësore për përmbushjen e objektivit të ngrohjes globale prej 1,5°C dhe për të siguruar një përgjigje të unifikuar globale ndaj ndryshimeve klimatike.


/ rtsh.al /