RTSH 24 Live

Sociale

Çifti brazilian mahnitet në Kukës, për herë të parë në Shqipëri, por me bindjen se do të rikthehen

17/04/2024

Çifti brazilian mahnitet në Kukës, për herë të parë në Shqipëri, por me bindjen se do të rikthehen

Kristian dhe Mario një çift turistësh nga San Paolo i Brazilit, tregojnë se si kanë mbërritur në Shqipëri.

Mario është tek te 70- tat ndërsa bashkëshortja e tij Kristjan 60-vjeçe.

“Kemi udhëtuar në më shumë se 70 shtete, por hera e parë që jam në Shqipëri. Në Brazil ka përshtypje të tjera për Shqipërinë. E cilësojnë të varfër e të pazhvilluar, por unë jam surprizuar nga ajo që gjeta këtu. Njerëz të mirë, të bukur, qytet i pastër e vend i mrekullueshëm".

Çifti brazilian nuk kishte informacion për Kukësin. Mario tregon se po ktheheshin nga Serbia, por gjatë udhëtimit nga rruga panë malin e Gjalicës, qytetin e vogël të Kukësit, liqenin e gjithçka që e rrethonte e janë befasuar. Kjo pamje nxiti bashkëshorten e tij për të ndaluar menjëherë në Kukës e për ta kaluar natën në këtë qytet.

Gjatë qëndrimit në Kukës vizituan qytetin, muzeun etnografik, një ekspozitë pikture pranë Pallatit të Kulturës si dhe një vizitë të shkurtër në Radio Kukësi. Janë befasuar nga ajo çfarë panë e përjetuan në Kukës. 

Kristian, në çdo çast shkrepte foto e u dërgonte miqve të saj në Brazil të kënaqur edhe me ushqimin, kushtet akomoduese e sigurisht edhe çmimet.

Për Marion, çmimet në Shqipëri duken të njëjta me Brazilin, por shumë më të lira se në shtete e Europës.

Kristin e Mario thanë se nuk do të reshtin së foluri me miqtë e tyre për Shqipërinë e shqiptarët, sigurisht edhe për qytetin e vogël të Kukësit nga i cili u larguan me përshtypjet më të mira duke premtuar se do të kthehen serish.

Gazetar: B. Muçmata

/rtsh.al/