Gazeta satirike franceze, Charlie Hebdo, zbuloi të hënën një botim special për të shënuar 10-vjetorin e sulmit në zyrat e saj nga persona të armatosur islamikë që u mori jetën 12 punonjësve të saj.
Në janar të vitit 2015, dy vëllezër të lindur në Francë me origjinë algjeriane organizuan një sulm në zyrën e gazetës satirike në Paris mbi një përshkrim të profetit Muhamed.
Faqja e parë botimit special përmban një karikaturë që feston ekzistencën e gazetës ateiste me mbishkrimin "I pathyeshëm!", ndërsa katër faqet e brendshme tregojnë rezultatet e një konkursi karikature për të vënë në lojë Zotin dhe udhëheqësit fetarë.
"Satira ka një virtyt që na ka mundësuar t'i kalojmë këto vite tragjike: optimizmin. Nëse doni të qeshni, do të thotë se doni të jetoni. E qeshura, ironia dhe karikaturat janë manifestime të optimizmit. Çfarëdo që të ndodhë, dramatike apo e lumtur, dëshira për të qeshur nuk do të pushojë kurrë”, shkruhet në editorialin e saj.
Edicioni i prezantuar për mediat do të dalë në shitje të martën kur do të mbahen përkujtimet publike nga presidenti Emmanuel Macron dhe kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo.
Që nga themelimi i saj në 1970, revista satirike ka testuar rregullisht kufijtë e ligjeve franceze për gjuhën e urrejtjes, të cilat ofrojnë mbrojtje për pakicat, por lejojnë blasfeminë dhe talljen e fesë.
Mbrojtësit e fjalës së lirë në Francë e shohin aftësinë për të tallur fenë si një të drejtë themelore të fituar me shekuj përpjekjesh për t'i shpëtuar ndikimit të Kishës Katolike. Nga ana tjetër, kritikët thonë se e përjavshmja ndonjëherë kalon kufirin e islamofobisë, duke treguar disa nga karikaturat e profetit Muhamed të botuara në të kaluarën që duket se e lidhin Islamin me terrorizmin.
/rtsh.al/