RTSH 24 Live

Politikë

Celibashi te Ligjet: Të bëhet reformë zgjedhore e vërtetë, SPAK regjistroi 37 procedime penale

11/06/2024

Celibashi te Ligjet: Të bëhet reformë zgjedhore e vërtetë, SPAK regjistroi 37 procedime penale

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në fjalën e tij në Komisionin e Ligjeve gjatë raportit vjetor të veprimtarisë së këtij institucioni gjatë 2023-shit, u bëri thirrje deputetëve që të punojnë për një reformë zgjedhore të vërtetë. Celibashi u shpreh se "do të ishte e udhës që kjo strukturë, apo një strukturë tjetër ad hoc të krijohet për të punuar për të bërë vërtetë një reformë zgjedhore të vërtetë”.

Kreu i KQZ u ndal më tej te dekriminalizimi dhe procedimet penale. Ai bëri me dije se SPAK ka regjistruar në total 37 procedime penale për 12 persona të cilët janë nën hetim për krime zgjedhore.

SPAK ka regjistruar në total 37 procedime penale për 12 persona të cilët janë nën hetim për krime zgjedhore. Janë dërguar në gjykatë me kërkesën për gjykim për 5 raste, për 5 procedime penale me 11 persona, ndërsa në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm janë nën hetim aktualisht 5 persona. Kanë qenë në total 21 procedime penale të cilat janë në juridiksionin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm. Janë 60 raste të evidentuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së  Shtetit, të cilat janë referuar nëpërmjet materiale përkatëse në organet e hetimit penal”, deklaroi Celibashi.

Ndalur te dekriminalizimi, Celibashi theksoi se KQZ ka dërguar për verifikim të thelluar në SPAK 44 kandidatë, 11 kandidatë për kryetar bashkie dhe 33 kandidat për anëtar të këshillit bashkiak.

“KQZ dërguam për verifikim të thelluar 44 kandidatë në SPAK, 11 për kryetar bashkie, 33 kandidat për anëtar të këshillit bashkiak.

Nga ana e SPAK kanë dërguar 11 vendime deri tani. KQZ  për 3 kandidatë ka vendosur deklarimin e procedurës administrative të përfunduar dhe pa vendim përfundimtar pasi kanë qenë kandidat që s’do merrnin mandat  Për 1 kandidat për anëtar të këshillit bashkiak ka konstatuar se ai përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të këshilltarit”, u shpreh kreu i KQZ.

/rtsh.al/