RTSH 24 Live

Politikë

Buxheti 2023/ Pas Berishës, edhe Alibeaj dorëzon 14 amendamente: Resortet luksoze të hiqen nga skema përjashtuese e TVSH

23/11/2022

Buxheti 2023/ Pas Berishës, edhe Alibeaj dorëzon 14 amendamente: Resortet luksoze të hiqen nga skema përjashtuese e TVSH

Partia Demokratike ka dorëzuar 14 amendamente për buxhetin e vitit 2023, ku në fokus ka krizën ekonomike dhe ndihmën për familjet dhe bizneseve të vogla. Rritja e pensioneve me 10 %, 3-fishimi i fondeve për të përndjekurit, zerimi i tatimit për inputet bujqësore si dhe ulja e  TVSH në 6 % për shportën ushqimore dhe energjinë janë disa nga pikat më të rëndësishme.

Gjithashtu PD kërkon edhe heqjen nga skema e përjashtimeve të TVSH-së për resortet luksoze dhe lojërat e fatit. Sipas PD në qendër të amendamenteve kanë qenë familja shqiptare dhe prekja e saj nga kriza.

Amendamentet e PD janë dorëzuar sot në Kuvend dhe do të diskutohen seancën parlamentare të 24 nëntorit.

“Siç edhe parashikimet e FMN dhe Bankës Botërore tregojnë, vendi jonë do të goditet nga kriza ekonomike dhe inflacioni pritet që të shkojë në 6% për vitin aktual ndërsa rritja ekonomike e vitit të ardhshëm do të jetë më e ulëta në rajon. Shporta e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike duket se ka goditjen më të rëndë duke shkuar deri në 30% rritje për disa produkte të shportës. Çmimi i bulmetit është rritur, ndërkohë që shqiptarët po preken nga kriza ndërsa 30% e qytetarëve, sipas BB, jetojnë nën 5 USD/ditë. Burimi i të ardhurave për qeverinë shqiptare mund të jetë thesi i miliardave që shpenzohen për projektet jo fizibël si PPP-të që janë kritikuar përherë nga FMN dhe Banka Botërore”, njofton PD.

Në amendamentet e dërguar në Kuvend janë rritja me 50% të transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, rritjen me 10% të pensioneve me një fond prej 12 miliardë lekë, 3-fishimin e fondeve të akorduara për të përndjekurit politikë, heqjen e akcizës për gazin e lëngshëm, shtimi me 100 mësues ndihmës për fëmijët me aftësi të kufizuara, rritjen me 20% të fondit të pagave për mjekët dhe infermierët, dyfishimi i ndihmës ekonomike, me një fond shtesë prej 4 miliardë lekë, kreditimi i TVSH-së për grumbulluesit e produkteve bujqësore, zerimi i tatimit për inputet bujqësore, heqjen nga skema e përjashtimeve të TVSH-së për resortet luksoze dhe lojërat e fatit si dhe heqjen e pagesës së akcizës sipas normës së inflacionit, uljen e TVSH-së për shportën e ushqimeve në 6% dhe uljen e TVSH-së së energjisë në 6% për konsumatorët familjarë dhe jo familjarë.

Më herët në Kuvend edhe grupi i Berishës dorëzoi 23 amendamente ku kërkohet rritje me 25% e rrogave dhe pensioneve, ulje e TVSH në 6 % për energjinë dhe ushqimet heqje e akcizës së gazit dhe rimbursim të të gjitha dëmeve nga COVID për bizneset.

/rtsh.al/