RTSH 24 Live

Politikë

Buxheti/ Berisha: Do paraqessim 23 amendamente, do kërkohet rritja e pagave me 25 %

23/11/2022

Buxheti/ Berisha: Do paraqessim 23 amendamente, do kërkohet rritja e pagave me 25 %

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga Procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar ka bërë me dije se PD do të paraqesë në Kuvend 23 amendamente për buxhetin e shtetit.

Në amendamentet e përgatitura kërkohet rritje me 25% e rrogave dhe pensioneve, ulje e TVSH në 6 % për energjinë dhe ushqimet heqje e akcizës së gazit dhe rimbursim të të gjitha dëmeve nga COVID për bizneset.

“Mbledhja është një mbledhje pune shumë e rëndësishme për shkak të rendit të ditës, tepër i veçantë. Janë buxheti i shtetit, për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë dhe Edi Ramën. Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për t’u vjedhur, në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon, dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta siç e paraqitën ata.

Në buxhet, në amendamentet e përgatitura, janë përparësuar, pas rrogave dhe pensioneve, ku kërkohet një rritje 25 përqind e rrogave dhe pensioneve, një rritje shumë e ndjeshme e tyre, janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë, janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot. Do kërkohet ulja e TVSH në 6 përqind për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset”, tha Berisha.

Kreu demokrat ka propozuar gjithashtu krijimin e fondit rezervë të KESH në mënyrë që siç tha ai, të dëmshpërblehen të përmbyturit. Më tej Berisha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren për Energjetikën dhe Infrastrukturën Belinda Balluku për vjedhje, pasi sipas tij, Shqipëria nuk ka nevojë për import të energjisë elektrike.

Propozohet krijimi i fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më çështje mundësie, por çështje detyrimi real ku KESH të detyrohet të mbajë një fond prej 15 përqind për përmbytjet që krijon në zonat ku janë të vendosura digat. Përmbytja e fundit ishte një përmbytje kryekëput e diktuar nga vjedhja qeveritare. Nëse ka pasur një ndryshim të motit, të parashikuar me saktësi të madhe nga gjeoshkenca shqiptare dhe ajo italiane, ka qenë ndryshimi i motit të ditëve që kaluam.

Por ato ndryshime moti nuk bllokuan Edi Ramën dhe Ballukun që të vazhdojnë vjedhjen me import energjie. Mbajtën të mbushur liqenin e Komanit dhe nuk prodhonin energji, hapnin portat e Komanit. Por ky është një liqen me kapacitet të kufizuar. Gjithnjë do një përkujdesje të veçantë. Ditët që mund të prodhonin energji, këta blinin energji me një çmim prej 230 euro megavati, në një kohë kur sot e shesin me 79 euro megavatin”, tha Berisha.