RTSH 24 Live

Europë

Bullgaria drejt zgjedhjeve të gjashta në tri vite pas përplasjeve brenda qeverisë

27/03/2024

Bullgaria drejt zgjedhjeve të gjashta në tri vite pas përplasjeve brenda qeverisë

Bullgaria është afër skenarit të zgjedhjeve të parakohshme, të gjashtat në vetëm tri vite, për shkak se partia e dytë më e madhe e vendit nuk ka pranuar të formojë qeverinë.

Majin e kaluar, konservatorët e partisë GERB (Qytetarët për Zhvillimin Demokratik të Bullgarisë) dhe liberalët e Vazhdojmë Ndryshimin (PP) ranë dakord të krijojnë kabinetin qeverisës me modelin e rotacionit çdo nëntë muaj.

Por PP-ja me liderin dhe ish-kryeministrin Kiril Petkov thotë se nuk do propozojë më emra për qeverinë, ndërsa partia më e madhe në vend, GERB, nuk kanë arritur të gjejnë mbështetje tjetër për koalicionin.

Partnerët në qeverisje përplasen prej muajsh për ndarjen e pozicioneve burokratike, reformën në drejtësi, organet antikorrupsion dhe shërbimet sekrete. Z. Petkov ka fajësuar kryetarin e GERB-it, Bojko Borisov (o. Boyko) "se ka frikë nga mëkatet e vjetra dhe preferon një eksplozion [politik] në Bullgari". Nga ana e tij, ish-kryeministri Borisov ka deklaruar se "deri në momentin e fundit, PP-ja ka mbajtur qëndrime poshtëruese, kanë dashur të uzurpojnë pushtetin".

Të dyja partitë kanë pranuar se përfundimi i këtij ngërçi mund të vijë pas zgjedhjeve të reja në muajt e ardhshëm - vendim ky që do të vononte më tej reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Situata politike në vend pritet të komplikojë përpjekjet e Bullgarisë për t'i integruar me BE-në, teksa vendi synon t'i bashkohet edhe zonës Shengen gjatë vitit në vijim dhe të pranojë euron si monedhën kryesore.

Bullgaria është edhe një shtet anëtar në NATO dhe një furnizues i rëndësishëm i Ukrainës me armatime. Opinionistët shprehen se trazirat e mundshme do të promovonin retorikën proruse nga krahët më ekstremë politikë në vend. /FT, Bloomberg

/rtsh.al/