Britania e Madhe është duke bërë gati ligjin përmes të cilit do të ndalojë të gjitha kalimet e paligjshme të emigrantëve për në vendin e saj.
Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman ka deklaruar se ata që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes rrugëve të paligjshme do të rikthehen në vendet e tyre të origjinës.
Sipas zyrtarëve britanikë sistemi i azili është i mbingarkuar dhe ndryshimet në ligj do të bëjnë të mundur sipas tyre që të ndalojnë emigrantët.
Gjithashtu parashikohet të vendoset edhe një kufi për dhënien e azilit në Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana e tyre laburistët e konsideruan ligjin si një instrument që më shumë e përkeqëson se sa e rregullon gjendjen.
Më shumë se 45 mijë persona hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit të La Manshit vitin e kaluar, nga rreth 300 që mundën të kalojnë në vitin 2018.
Qeveria beson se ndalimi i varkave të vogla është një çështje kyçe për votuesit dhe kryeministri Rishi Sunak e ka bërë atë një nga pesë prioritetet e tij kryesore.
Braverman tha se ligji i ri do të lehtësojë sfidat e qeverisë britanike për të goditur edhe “skllavërinë moderne” të trafikimit të qenieve njerëzore, transmenton BBC.
Ministrja e Brenshme shpjegoi para deputetëve se ajo nuk mund të “bënte një deklaratë përfundimtare të përputhshmërisë së ligjit sipas Aktit të të Drejtave të Njeriut”. Por shtoi se “kam besim se ky projektligj është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.
/rtsh.al/