RTSH 24 Live

Botë

Borrell: BE të dërgojë sistemet mbrojtëse në Ukrainë, s’mund të mbështetemi vetëm te SHBA

18/04/2024

Borrell: BE të dërgojë sistemet mbrojtëse në Ukrainë, s’mund të mbështetemi vetëm te SHBA

Shefi i diplomacisë së Jashtme të BE, Joseph Borrell tha se vendet e Bashkimit Evropian duhet të dërgojnë sistemet e tyre anti-raketë për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke shtuar se Evropa nuk mund të mbështetet vetëm tek Shtetet e Bashkuara.

"Ne kemi Patriotët, ne kemi sisteme kundër raketave. Ne duhet t'i nxjerrim (jashtë) nga kazermat tona, ku janë për çdo rast dhe t'i dërgojmë në Ukrainë, ku lufta është ndezur. Ne nuk mund të mbështetemi vetëm te SHBA-ja Ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë dhe të ndalojmë së thëni ‘oh, SHBA do të bëjë’”, tha Borrell.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës ishte një çështje kyçe për ministrat e G7 të mbledhur në Itali, ku u tha se duhet bërë më shumë për të ndihmuar Kievin.

Më shumë se dy vjet pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, Ukraina po përballet me mungesë municionesh, me financimin jetik nga SHBA të bllokuar nga republikanët në Kongres për muaj të tërë dhe BE-ja nuk arrin të dorëzojë municione të mjaftueshme në kohë.

Duke folur edhe për tensionet mes Iranit dhe Izraelit, Josep Borrell tha se jemi në prag të një lufte rajonale në Lindjen e Mesme.

“Nuk dua të ekzagjeroj, por ne jemi në prag të një lufte, një lufte rajonale në Lindjen e Mesme, e cila do të dërgojë valë shokuese në pjesën tjetër të botës, dhe në veçanti në Evropë”, tha ai.

/rtsh.al/