Prej pak javësh në një nga zonat më të frikshme, ku lufta rrafshoi gjithçka dhe mori jetën e mbi 620 mijë njerëzve, në Siri është rikthyer paqja.
Ndër rrënoja po shfaqen shenja jete dhe pas largimit të Bashar Al Asad një kastë e re politike ka marrë drejtimin e vendit.
Gazetari i njohur Blendi Fevziu ndodhet këto ditë në Damask dhe në një raportim ekskluziv për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” raportoi se si ka rifilluar jeta në shtetin e Lindjes së Mesme.
Fevziu u shpreh se jeta në qytet ka rinisur normalisht dhe shkollat janë rihapur, por ende disa mungesa me furnizimet.
“Kam zgjedhur një prej lagjeve më të qeta rezidenciale të Damaskut për të bërë këtë raportim dhe për t’iu treguar në pamje të parë që kryeqyteti i Sirisë me gjithë luftën, me gjithë problemet, me 13 vite luftë civile ka një lloj qetësie. Pjesa më e madhe e qytetit është qetësuar tashmë, shkollat kanë filluar me përjashtim të dy javëve të paratë rënies së Damaskut, njerëzit kanë filluar ritmin e tyre, por natyrisht nuk është e thjeshtë pasi për 60 vite kanë jetuar nën regjimin e Assadëve, të babait dhe të birit, dhe sot është një forcë e re ,me të cilën ata duhet të mësohen.
Problemet kryesore të Sirisë janë; integrimi i minoriteteve; integrimi i besimeve fetare; dhe sidomos demokracia për të cilën po insistojnë shumë vendet perëndimore.
Damasku i vjetër është një prej qyteteve më të bukura që kam parë, njerëzit janë ndër më miqësorët që mund të gjesh.
Ndërkohë që tension padyshim që ka dhe ndihet. Ka mungesa me furnizime. Për herë të parë pas shumë vitesh, karburanti është pa limit, e hedhin m bidona 5 lt”, deklaroi Fevziu.
Rebelët e udhëhequr nga grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS) përfshiu Sirinë në një ofensivë të rrufeshme në dhjetor të 2024-ës që rrëzoi sundimin 54-vjeçar të dinastisë Assad.
/rtsh.al/