RTSH 24 Live

Politikë

Bisedimet Kosovë-Serbi/Begaj: Mbështesim çdo marrëveshje mes tyre. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, i padiskutueshëm

06/02/2023

Bisedimet Kosovë-Serbi/Begaj: Mbështesim çdo marrëveshje mes tyre. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, i padiskutueshëm

Presidenti Bajram Begaj mbështeti planin franko-gjerman për Kosovën. Përsa kohë bisedimet Kosovë-Serbi kanë për garantë SHBA dhe BE, Presidenti është i bindur se interesat e Kosovës dhe interesi ynë kombëtar është i mbrojtur. “Ne mbështesim çdo lloj dakordësie që do të arrihet midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Nga ana tjetër, ne si Shqipëri, nuk vëmë në diskutim integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës.”- tha Presidenti Begaj, i cili i rezervua të komentinte, nëse kryeministri Albin Kurti është apo jo në rrugën e duhur në bisedimet që po zhvillohen. 

Elona Meço: Gjatë vizitës së parë zyrtare si president në Kosovë ju deklaruat se detyra juaj ishte të identifikoni problematikën e moszbatimit të marrëveshjeve mes dy vendeve dhe të kërkoni zbatimin e tyre. Ka ndodhur kjo? Sa marrëveshje janë pa u zbatuar me Kosovën dhe çfarë keni bërë konkretisht për këtë?
 
Presidenti Bajram Begaj: Në fakt, gjatë vizitës sime të parë si president në Kosovë, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës unë jam shprehur për detyrat e shtëpisë, të cilat i konstatova gjatë bisedimeve zyrtare. U konstatua që disa nga marrëveshjet e firmosura mes dy qeverive nuk po gjenin vëmendjen e duhur. Konstatoj me kënaqësi se në takimin e fundit mes dy qeverive, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë janë marrë në analizë të gjitha marrëveshjet e firmosura dhe besoj se këto marrëveshje, duke mos qenë vetëm një proces mekanik, kërkojnë angazhimin institucional të faktorëve të tjerë për caktime ligjore të qarta. Përfaqëuses nga të dy qeveritë janë duke i ndjekur.
 
Elona Meço: Pra nuk ka asnjë marrëveshje të firmosur dhe të pa vënë në jëtë, të pazbatuar?

Presidenti Bajram Begaj: Absolutisht, nga takimi i fundit mes dy qeverive janë vënë në konriza procedurat për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Elona Meço: Kur flisni për Kosovën, ju theksoni rëndësinë e pazëvendësueshme të bisedimeve, të dialogut. Cili është qendrimi i Shqipërisë për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e problemit? Duhet ta pranojë Kosova?
 
Presidenti Bajram Begaj: Ne mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke, me respektim të Kushtetutës së Kosovës. Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA, Presidenti Biden dhe nga kancelari gjerman Scholtz, është shumë e rëndësishme për ne. Mendoj që situata e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që vëmendja e diplomacisë europiane të përqendrohet në zgjidhjen e konflikteve në Ballkanin Perëndimor dhe posaçërisht të mosmarrëveshjeve dhe konfliktit në veri të Kosovës. Kemi parë së fundmi një axhendë mjaft të ngjeshur diplomatike dhe një propozim franko-gjerman, por kemi patur edhe përfaqësues specialë të Mbretërisë së Bashkuar, të Greqisë dhe të Italisë, që po bëjnë presion në të dyja qeveritë, qoftë në qeverinë e Kosovës, qoftë në qeverinë e Serbisë për të arritur një marrëveshje dhe një dakordësi. Ne mbështesim çdo lloj dakordësie që do të arrihet midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë. Nga ana tjetër, në si Shqipëri, nuk vëmë në diskutim integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës.
 
Elona Meço: Por propozimi franko-gjerman nuk shprehet saktësisht për një njohje të Kosovës nga Serbia. Duhet ta pranojë Kosova këtë?

Presidenti Bajram Begaj: Përsa kohë në një tavolinë dialogu bisedimesh kemi mbështetjen e padiskutueshme të SHBA dhe BE, çdo zgjidhje e propozuar, është në ndihmë të kësaj marrëveshje finale që unë përmenda për njohje të ndërsjellë dhe respektim të minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
 
Elona Meço: Ju e theksoni çështjen e minoroteteve. E keni fjalën tek Asosacioni i Komunave Serbe, të cilën kryeministri i Kosovës deri tani po e refuzon, për shkak se edhe atje është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese?
 
Presidenti Bajram Begaj: Çdo qeveri zbaton kushtetutën e vendit të vet, zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
 
Elona Meço: Është në rrugë të drejtë Albin Kurti në qendrimin që po mban?

Presidenti Bajram Begaj: Unë nuk kam në patronazh qeverinë e Kosovës. Unë shpreh atë që di dhe kam informacion nga bisedimet që bëhen. Dmth, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje të ndërsjellë dhe me respektim të minoriteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është e shprehur nga Presidenti Biden, është e shprehur edhe nga kancelari Scholtz.
 
Elona Meço: Ju kam dëgjuar që e përkrahni nismën e Ballkanit të Hapur, por a mund të ketë sukses një nismë që nuk njeh sovranitetin e  Kosovës?
 
Presidenti Bajram Begaj: Unë mbështes çdo iniciativë rajonale. E thashë pak më lart që, pa mbështetjen e SHBA, Ballkani nuk do të kishte këtë profil që ka sot. Edhe për këtë iniciativë  rajonale, e kam përmendur në intervistën time të parë në Kosovë që, nëse kjo iniciativë, mbështetet nga SHBA, është në planin gjithëpërfshirës, është me të drejtën sovrane të cdo vendi dhe me përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe që arrin të realizojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve, si dhe mbetet vetëm në planin ekonomik, është e mirë të bëhet. Nëse nga kjo marrëveshje përfitojnë njërëzit e këtij rajoni apo më saktë, përfitojnë populli i Kosovës dhe populli i Shqipërisë, për mua është e mirëpritur.

Elona Meço: Pra, rroftë dialogu dhe bashkëpunimi!

Presidenti Bajram Begaj: Më gjeni një argument tjetër për të kundërtën.

/rtsh.al/