RTSH 24 Live

Rajon

BiEPAG: Një dekadë mundësish të humbura nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor

3 orë para

BiEPAG: Një dekadë mundësish të humbura nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor

Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor kanë humbur shumë mundësi gjatë dekadës së fundit për të shënuar suksese me politikën e zgjerimit, konkluduan pjesëmarrësit e një paneli të mbajtur në Sarajevë për të shënuar dhjetëvjetorin e krijimit të Grupit Këshillimor për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG).

BiEPAG u krijua si një nismë e përbashkët e Fondit Evropian për Ballkanin dhe Qendrës për Studime të Evropës Juglindore të Universitetit të Gracit. Grupi aktualisht mbledh 25 ekspertë, të cilët janë të vendosur në secilin nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe në Bashkimin Evropian.

Aleksandra Tomaniq, drejtoreshë ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin (EFB), deklaroi se gjatë dekadës së fundit rajoni nuk ka pasur shumë arritje për t'u festuar.

Kur u themelua BiEPAG, ne shpresuam që pas dhjetë vjetësh nuk do të kishte më nevojë për BiEPAG. Fatkeqësisht, dhjetë vjet më vonë, shumica e vendeve në rajon janë ende në fazat e hershme të anëtarësimit në BE. Ne po e shënojmë këtë përvjetor, por ka pak për të festuar kur shikon gjendjen e zgjerimit, veçanërisht gjendjen e demokracisë në rajon”, tha Tomaniq.

Sipas saj, BiEPAG ka qenë një platformë e rëndësishme për ekspertët e Ballkanit që avokojnë për integrimin e rajonit në BE gjatë dekadës së fundit.

Florian Bieber, koordinator i BiEPAG dhe profesor në Universitetin e Grazit, deklaroi se procesi i zgjerimit gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka sjellë nivelin e dëshiruar të transformimit në shoqëritë e rajonit.

Sipas tij, dekada e fundit nuk ka parë përparim të mjaftueshëm të dukshëm në drejtim të zgjerimit. Ai i kujtoi audiencës se kjo është periudha më e gjatë në historinë e BE-së pa një zgjerim.

Që nga anëtarësimi i Kroacisë 11 vjet më parë, nuk ka pasur një zgjerim të ri dhe kjo sigurisht do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Ndërkohë, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ne jemi dëshmitarë të tendencave të dukshme të kthimit demokratik dhe rritjes së 'stabilokracive'”, tha Bieber.

Ai shtoi se përkundër dështimit të procesit të zgjerimit në dekadën e fundit, BiEPAG si rrjet beson se ky proces mbetet i vlefshëm.

Ne jemi miq kritikë të zgjerimit. Roli ynë si ekspertë dhe analistë kritikë është të japim këshillat tona. Ne do të vazhdojmë me këtë”, shtoi Bieber.

Bieber më pas vazhdoi të kryesonte një panel ekspertësh të BiEPAG të titulluar "Bashkimi Evropian - malo morgen?"

Bashkëpunëtorja hulumtuese në Universitetin e Rijekës, Tena Prelec, vuri në dukje se BE-ja shpesh flet për një "moment" për zgjerim, por nuk ka qenë efektive për ta kapur atë. Ajo përmendi shembullin e Maqedonisë së Veriut, ku nuk u bë përparim pavarësisht se autoritetet e vendit bënë ndryshime të rëndësishme.

Ajo theksoi se BE-ja e ka parë gjithmonë rajonin më shumë si gjysmë periferik sesa pjesë të klubit.

Sipas kryetarit të Bordit të Qendrës së Politikave Evropiane (CEP) nga Beogradi, Sërxhan Majstoroviq (o. Srđan), lufta në Ukrainë krijoi vrull për zgjerim, por ky moment duhet të përkthehet në veprime konkrete.

Edhe pse ka një mirëkuptim brenda BE-së se zgjerimi duhet të ndodhë, duket se ka mungesë të konsensusit midis të 27 shteteve anëtare”, tha Majstoroviq.

Ai theksoi se demokratizimi i rajonit nuk duhet dhe nuk mund të ndahet nga integrimi evropian, duke shtuar se demokracia dhe shteti i së drejtës duhet të mbeten në thelb të procesit të anëtarësimit. Mirëpo, Majstoroviq vuri në dukje se të gjitha indekset relevante ndërkombëtare tregojnë se rajoni po regresohet në këto fusha.

Lura Pollozhani, studiuese në Universitetin e Grazit, foli për qëndrimet e të rinjve ndaj Bashkimit Evropian dhe zgjerimit, duke vënë në dukje se gjatë dekadës së fundit është shfaqur lodhja.

Shumë të rinj e panë veten duke punuar në vendet e BE-së, si Gjermania. Ky është ndoshta një mundësi e humbur që kaloi nën radar. Ky proces përfshin qytetarët dhe futja e tyre në të është vendimtare”, tha Pollozhani.

Gjatë diskutimit në panel, Marika Djolai deklaroi se BE-ja zhvilloi një mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe gjatë zgjerimit të 'big bang-ut', por ai nuk arriti të përkthehej në politika konkrete në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, gjatë dekadës së kaluar BE-ja ka dështuar edhe në aspektin e gjesteve simbolike.

Një vit pas Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku dy vende ecin përpara, BE-ja e ndaloi procesin e zgjerimit”, kujtoi Djolai duke shtuar edhe shembullin e rastit Sejdiq-Finci në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në një nivel simbolik, BE-ja u dërgoi një mesazh liderëve autoritarë dhe populiste në rajon se një sjellje e tillë është e pranueshme. Në fund të fundit, kjo bëri që procesi i zgjerimit të BE-së të mos merret seriozisht nga elitat politike”, tha Djolai. /EWB

/rtsh.al/