RTSH 24 Live

Politikë

Bie mocioni kundër dhunës ndaj gazetarëve, Zhupa: Qasje diktatoriale! Nikolla: Ju i sulmuat me molotov

30/05/2024

Bie mocioni kundër dhunës ndaj gazetarëve, Zhupa: Qasje diktatoriale! Nikolla: Ju i sulmuat me molotov

Kuvendi ka rrëzuar me votë mospranimin e mocionit me debat për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo lloje forme, mocion i propozuar nga deputetja demokrate Ina Zhupa.

Kërkesa për mocion nuk u pranuar fillimisht nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e cila tha se me të drejtën që i jep ligji rrëzon këtë kërkesë pasi nuk është në përputhje me rregulloren e Kuvendit dhe nuk është përgjegjësi e Këshillit të Ministrave.

“Mocion me debat për rezolutën për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo lloj forme dhe njohja e rolit të pazëvendësueshëm të medias së lirë dhe të pavarur. Kam argumentuar mospranimin mocionit për zhvillimin e debatit pasi nuk është në përputhje me rregulloren. Kryetari i Kuvendit ne nenin 89 ka dhe pikën 3 të mos pranojë mocion që nuk janë përgjegjësi e këshillit të ministrave dhe janë në kundërshtim me rregulloren e kuvendit”, tha Nikolla.

Por për deputeten Ina Zhupa mospranimi i kësaj rezolute është një shenjë turpi e kësaj qeverie duke shfaqur qasjen më diktatoriale dhe anti-integruese duke masakruar rregulloren e Kuvendit.

“Zonja kryetare unë  e di që njohuritë tuja janë shumë të cekta po minimalit duhet të pyesni juristët e Kuvendit kur merrni përsipër të shkaktoni një precedent që nuk ekziston. Në cilën pjesë të rregullores e keni lexuar se mocioni për debat duhet të bëhet vetëm për llogari të këshillit të ministrave. Neni 89 ka dhe pikën 2 dhe thotë se kryetrari i kuvendi pas këshillimit me Konferencën e kryetarëve të grupohen dhe të caktohet data. Dhe pika dy thotë mund të mos pranohet. Pasi konsultohesh merr vendimin, ti nuk je konsultuar dhe e ke marrë vetë vendimin. Ju kanë hedhur në zjarr pa e ditur se çfarë po bëni. Rezolutat nuk bëhen vetën për çështjet e qeverisë, por kundër luftës, për barazinë gjinore etj. Bëhet fjalë për një rezolutë për një barazi gjinore, për dhunë ndaj grave dhe ju si grua duhet të tonit faleminderit që e sollët dhe mund të kishit shtuar, por nuk mund të vini të thoni që nuk është një çështje e qeverisë.

Ju po i thoni kryeministrit se unë nuk lejoj që të flitet për ju për dhunë  verbale ndaj gazetarëve. Ti ke dalë si ushtarja e parë, e shkel vetë rregulloren për ti treguar besnikëri kryeministrit. Ju keni frikë nga pyetjet e gazetarëve të pavarur dhe ju dhëmb fjala e tyre dhe shumicën e rasteve është kryeministri aktor kur dhunohen gazetaret femra. Kjo qasje e kuvendit që e ktheni në një aneks të qeverisë, ku duhet të kalojnë vetëm mocionet dhe rezolutat që sjell qeveria është qasja më diktatoriale dhe anti-integruese që ekziston, çdo gjë që sjell opozita për ju duhet refuzuar dhe masdak5ruar në shkelje të rregullore. Kjo është një qasje që do i kushtojë Shqipërisë në raportet ndërkombëtare dhe në lirinë e medias”, tha Zhupa.

Kryetarja e Kuvendi iu përgjigj duke i kujtuar sulmin me molotov që iu bë gazetarëve në protestën e opozitës para Bashkisë Tiranë dy ditë më parë.

“Patjetër respekt maksimal për punën dhe rolin e  të gjithë gazetarëve pa i ndarë ata në burra dhe gra. Kanë një kontribut të pamohueshëm për demokracinë, por ndryshe nga ju që ndryshe flisni këtu e ndryshe jashtë, dy ditë më parë ishin gazetarë ata që u goditën me molotov”, tha Nikolla.

/rtsh.al/