Presidenti i SHBA-ve Joe Biden ka deklaruar se Irani pritet të sulmojë së shpejti Izraelin. Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se pritet një sulm nga Irani drejt Izraelit.
“’S’dua të jap informacione të sigurta, por pritshmëria ime është se kjo mund të ndodhë më shpejt ” tha Biden kur u pyet se sa i afërt ishte një sulm ndaj Izraelit.
I pyetur se cili është mesazhi i tij për Teheranin, presidenti tha "Mos".
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve nëse trupat amerikane ishin në rrezik, Biden tha se Shtetet e Bashkuara janë "të përkushtuara" për mbrojtjen e Izraelit.
“Ne do të mbështesim Izraelin. Ne do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, tha Biden.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se janë në gatishmëri të lartë për një sulm hakmarrës iranian pas goditjeve vdekjeprurëse të Izraelit në konsullatën e Teheranit në Damask javën e kaluar, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë rajonale.
Shtëpia e Bardhë shpjegoi gjithashtu se ky mbetet një kërcënim "i vërtetë", "i besueshëm" dhe "i zbatueshëm" i Iranit që mund të nisë sulme, veçaërisht pas goditjeve të Izraelit në një kompleks diplomatik në Siri që vrau tre gjeneralë iranianë.
/rtsh.al/