RTSH 24 Live

Botë

Biden i bën thirrje Rusisë të lirojë gazetarin 

01/04/2023

Biden i bën thirrje Rusisë të lirojë gazetarin 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, bëri thirrje që Rusia të lirojë gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich. Ky i fundit është nën arrest me akuza për spiunazh. 

Më tej, Biden kundërshtoi kërkesën e bordit redaktues të gazetës amerikane për t’i dëbuar gazetarët rusë nga SHBA-ja. I pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë se cili ishte mesazhi i tij për Rusinë në lidhje me Gershkovichin, i cili është shtetas amerikan, Biden tha: “Lëreni të shkojë”. 

Në një artikull të botuar të enjten, bordi i redaktorëve i Wall Street Journal bëri thirrje për dëbimin e ambasadorit rus në Shtetet e Bashkuara dhe “të gjithë gazetarëve rusë që punojnë këtu”, duke e përshkruar këtë masë si “minimumi që pritet”. 

Gershkovich është gazetari i parë i një medie amerikane që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë. Shërbimi i sigurisë pretendon se Gershkovich “po vepronte mbi urdhra amerikane për të mbledhur informacion për aktivitetet e njërës prej ndërmarrjeve të kompleksit industrial ushtarak rus që përbën sekret shtetëror”. FSB-ja, Shërbimi Rus i sigurisë nuk ofroi asnjë dëshmi për këto pretendime.

 

rtsh.al /