RTSH 24 Live

Botë

Betohet presidenti i ri në Gjeorgji - Mijëra protestues dhe presidentja në largim e quajtën të paligjshëm

29/12/2024

Betohet presidenti i ri në Gjeorgji - Mijëra protestues dhe presidentja në largim e quajtën të paligjshëm

Mijëra protestues u mblodhën këtë të diel në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, ndërsa presidenti i ri mori detyrën. Ish-futbollisti i Manchester Cityt, Mikheil Kavelashvili, që është edhe aleat i partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, u betua në një ceremoni me dyer të mbyllura në Parlament, ku mori pjesë familja e tij dhe kryeministri Irakli Kobakhidze.

Duke folur pas betimit, Kavelashvili vlerësoi traditat, identitetin kombëtar dhe besimin e popullit gjeorgjian. “Historia jonë tregon, se pas shumë betejave për ta mbrojtur vendlindjen tonë dhe traditat tona, paqja gjithmonë ka qenë një nga synimet dhe vlerat e popullit gjeorgjian”, u shpreh Kavelashvili.

Ndërsa kryeministri Kobakhidze tha se presidenti i ri do të mbrojë interesat kombëtare. Ai njoftoi se qeveria gjeorgjiane është gatshme për një partneritet strategjik  me SHBA-të dhe për rivendosjen e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Presidentja pro-BE-së e Gjeorgjisë Salome Zurabishvili, duke iu adresuar turmës së qytetarëve të mbledhur në Tbilisi deklaroi se po largohet nga pallati presidenciale, por  ajo ishte presidentja e vetme legjitime e vendit.

Zurabishvillit i përfundoi mandati këtë të diel me betimin e pasardhësit të saj të cilin ajo e quajti të paligjshëm. “Do të largohem nga pallati presidencial dhe do të qëndroj me ju, duke mbajtur me vete legjitimitetin, flamurin dhe besimin tuaj.”, tha para protestuesve.

Ëndrra Gjeorgjiane, që është në pushtet prej 12 vitesh, fitoi zgjedhjet parlamentare të tetorit, por opozita e akuzoi për mashtrim dhe që atëherë Gjeorgjia është përfshirë nga protestat masive. Këto të fundit u intensifikuan edhe pasi qeveria pezulloi bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.

/RTSH/