RTSH 24 Live

Politikë

Berisha takon Salianjin në burg: Padrejtësi, Xhafa e Rama do marrin dënimin e merituar

11 orë para

Berisha takon Salianjin në burg: Padrejtësi, Xhafa e Rama do marrin dënimin e merituar

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vizituar në burgun e Fierit ish-deputetin demokrat Ervin Salianji.

Kreu demokrat ka qëndruar për rreth një orë në takimin me ish-deputetin demokrat dhe pas daljes nga ambientet e burgut të Fierit, Berisha u shpreh se gjendja e Salianjit është ajo e një njeriu të kufizuar padrejtësisht.

Ish-kryeministri sulmoi kryeministrin Rama, ish-ministrin Fatmir Xhafaj dhe vëllanë e këtij të fundit, duke theksuar se beteja e demokratëve nuk do të përfundojë deri në marrjen e dënimit të merituar të këtyre personave.

Faktohet se Xhafa, drejtonte trafiqet nga gjiri I Italisë. Arben Xhafa kishte 2 vëllezër, një vëlla nga gjaku që është Fatmir Xhafa dhe një tjetër nga morali, Olsi Ramën.

Kjo është e vërteta. Meqënëse Salianji goditi një prej klaneve mafioze më të rëndësishme të ballkanit, planin Rama dhe atë Xhafa u sulën me gjithë mjetet e mafies dhe sot vuan dënimin për shërbimin e madh e të çmuar që i bëri Shqipërisë.

Në vend të tij duhej të ishte këtu Fatmir Xhafa, Olsi Rama dhe Edi Rama.

Gjendja e tij ajo e një njeriu që kufizohet dhe përballet me padrejtësi ekstreme.

Vendosmëria e tij në këtë betejë është e plotë. Biseduam për vazhdimin e betejës sonë dhe ju garantoj se do përfundoj vetëm kur Fatmir Xhafa dhe klani Rama të marrin dënimin e merituar, Ky është rast i pashembullt në historinë e një shteti.

Çështja Salianji është çështje ndërkombëtare, është e sanksionuar në 3 rezoluta ndërkombëtare më të fuqishmet për një vend në të cilin Shqipëria damkoset si narkoshtet, shteti i burgosjeve politike, në të cilën lulëzon krimi.

Drejtësia do kishte mbështetjen më të fuqishmet të PD nëse kjo drejtësi nuk do bëhej një mashë e vërtetë politike”, deklaroi Berisha.

Kjo ishte vizita e parë e kreut demokrat në burgun ku po vuan dënimin Salianji. Vizita e sotme vjen pak kohë pasi Berisha arriti të fitonte lirinë më 27 nëntor, pas një viti nën “arrest shtëpie”.

Ndërkohë ish-deputeti demokrat Ervin Salianji u vetëdorëzua në polici më 27 shtator 2024.

Ai u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit me një vit burg për “kallëzim të rremë” për inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës, në atë që njihet si çështja “Babale”.

/rtsh.al/