RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Misioni ynë, fitorja e PD-së në vitin 2025

28/06/2024

Berisha: Misioni ynë, fitorja e PD-së në vitin 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij online në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, deklaroi se mbledhja e e këtij forumi ka një rëndësi të veçantë, që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga Rithemelimi i PD.

Sipas tij, realizimi i objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur.

“Objektivi i parë u krye, shpëtuam flamurin dhe logon. Objektivin e dytë e realizuam, nuk ka forcë që na ndal ne, dhe objektivin e 3-të kemi fitorën në zgjedhje, që ia kemi borxh shqiptarëve që nuk votuan për narko-shtetin, ua kemi borxh demokratëve që qëndruan, ia kemi borxh 47 % të fëmijëve që vuajnë për bukën e gojës, ia kemi borxh mijëra e mijëra shqiptarëve kudo që janë”, tha Berisha.

“Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë: Gëzuar ditën e parë të demokracisë. Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia”, tha Berisha.

“Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë”, theksoi Berisha.

Sipas tij, kjo është rëndësia e misionit të PD-së.

“Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia. Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi. Misioni ynë shpëton Shqipërinë”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/