RTSH 24 Live

Aktualitet

Berisha akuza Veliajt: Po kërcënon prokurorin Olsi Dado, dha mesazh për dëshmitarët

4 orë para

Berisha akuza Veliajt: Po kërcënon prokurorin Olsi Dado, dha mesazh për dëshmitarët

Kryedemokrati Sali Berisha ka sulmuar sërish kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj (i arrestuar) ku e akuzon se po kërcënon personalisht Prokurorin e SPAK, Olsi Dado.

Berisha deklaron se mesazhet të cilat po përcjellë kryebashkiaku me publikimin e procesverbalit të seancës së 12 shkurtit në GJKKO, shkojnë drejtpërdrejt ndaj dëshmitarëve që mund të dëshmojnë kundër tij.

“Së fundmi, dënoj me forcën më të madhe aktin kriminal, të dënueshëm, të Erion Vjedhësit, Erion Hajdutit, kërcënimin me personale të Olsi Dados.

Tani unë e kam pak ndryshe problemin këtu. Sigurisht unë jam kundër çdo kërcënimi personal. Nuk mund të ketë kërcënime personale, se pastaj është vetëgjyqësi. Por mesazhi që jep ky hajdut, që ka hyrë në analet botërore si një nga hajdutët më të këqij në Europë, dhe e shoqja e tij si Lajla Asadi me garderobë 1 milionë, është mesazhi i kërcënimit me jetë të dëshmitarëve.

Sepse kërcënimi i tij për Olsi Dadon është një kërcënim që për shkak të mbrojtjes që kanë këta prokurorë, ai shanset i ka zero që ta agresojë fizikisht.

Por kërcënimi personal është për dëshmitarët, që po folët, do e keni personale me mua. Nuk ka akt më të mirëfilltë të pengimit të drejtësisë se ky. PD po shqyrton të gjitha modalitetet për ta paditur për aktin e pengimit të drejtësisë dhe kërcënimit të dëshmitarëve. Nuk ka. Kodi i këtij mesazhi është kërcënimi i dëshmitarëve, të cilët kanë merita, duhet t’i pranojmë.

Çdo njeri që pranon të zbardhë një krim, ka merita të padiskutueshme. Ndaj dhe i them Erion Veliajt se me asgjë nuk mund të shpëtosh nga krimet dhe mos guxo të kërcënosh dëshmitarët se do përgjigjesh shumë rëndë”, deklaroi Berisha.

Reagimi i këtij të fundit erdhi fill pas publikimit nga ana e Veliajt të procesverbalit të seancës për masën e sigurisë më 12 shkurt në GJKKO.

/rtsh.al/