RTSH 24 Live

Sociale

Berati "zhvendoset" në Pogradec, Arben Golemi rikthehet me “Imazhe të gërvishtura”

20/10/2024

Berati "zhvendoset" në Pogradec, Arben Golemi rikthehet me “Imazhe të gërvishtura”

Pas 14 vitesh artisti beratas Arben Golemi është rikthyer në Pogradec me një ekspozitë të quajtur “Imazhe të gërvishtura”. Në qytetin liqenor janë prezantuar bukur fasadat e Beratit, nëpërmjet 18 punimeve të autorit.

Arben Golemi, artisti beratas i cili ruan vendlindjen e tij në një arsenal prej mijëra vizatimesh dhe qindra pikturash, nëpërmjet ekspozitës "Imazhe të gërvishtura" sjell fasadat e Beratit në Pogradecin e liqenit. Golemi thotë se rikthehet me këtë ekspozitë pas 14 vitesh në Pogradec, duke sjellë një ekspozitë ndryshe, sa kolorite aq edhe të thellë.

Çdo piktor ndjenë kënaqësi kur ekspozon pikturat  e veta, aq më tepër kur i ekspozon në një ambient dashamirës, artdashës. Pogradeci është një qytet i mrekullueshëm dhe ishte një kënaqësie e madhe për mua që më dhanë mundësi të tregoja pikturat e mia të fundit”, tha piktori Arben Golemi.

Për piktorin pogradecar Vangjo Vasili, Arbeni është artist i një tjetër kalibri, i cili si një arkitekt i zoti, sjellë në pikturë forma, ngjyra dhe drita që pakkush arrin ti realizojë si ai.

Është një armë e fortë që ka ky arkitekt për të dhënë imazhet shpirtërore të veta, për të tjerët sepse jo çdo gjë realizohet në sipërfaqe të objektit jashtë”, tha piktori Vangjo Vasili.

Ekspozita "Imazhe të gërvishtura" përbëhet nga 18 punime të përmasave të mëdha dhe për disa ditë do të qëndrojë e hapur për publikun artdashës pogradecar.

Gazetare Kostanca Koçi

/rtsh.al/