RTSH 24 Live

Politikë

Begaj: Synojmë të kthehemi në përfitues të transmetimit të gazit përmes TAP! Homologu azer: Hapim ambasadën tonë këtu, forcojmë bashkëpunimin

15/11/2022

Begaj: Synojmë të kthehemi në përfitues të transmetimit të gazit përmes TAP! Homologu azer: Hapim ambasadën tonë këtu, forcojmë bashkëpunimin

Presidenti Bajram Begaj dhe homologun e tij Azerbajxhanit, Ilham Aliyev janë zotuar të forcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat jetike si energjia, infrastruktura dhe turizmi.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Begaj tha se Shqipëria synon të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit, ndërsa presidenti azer, Aliyev tha se vizita e tij në Tiranë do të jetë një shtysë edhe më e madhe për forcimin e marrëdhënies mes dy vendeve.

Begaj dhe Aliyev u shprehën se diskutimet u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

“Kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një President nga Azerbajxhani. Vizitat e niveleve të larta janë shprehje e qartë e vullnetit dypalësh për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit. Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, veçanërisht në sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria. Infrastruktura energjetike dhe ajo e gazit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të gjitha vendet.  Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, - përmes TAP-it, - lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian. Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit. Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030. Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi”, tha Begaj.

Presidenti foli edhe për 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve, ndërsa vlerësoi kërkesën e homologut azer për të hapur ambasadën e vendit të tij në Shqipëri.

“Viti i ardhshëm shënon edhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja. Gjithashtu diskutuam mbi propozimin e palës Azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike”, tha Begaj.

Lidhur me synimet e Shqipërisë, presidenti Aliyev tha se Azerbajxhani është i gatshëm që të ndihmojë në infrastrukturën e gazifikimit

“Jam në një vizitë për herë të parë. Jam besim plotë se kjo vizitë do i japë një shtysë të fortë marrëdhëniet ndërmjet Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Bashkëpunimi ynë shumë i suksesshëm, e thatë që Shqipëria është mbështetëse. Ndërveprimi mes kompanive shqiptare dhe Azerbajxhanase e di që këto fusha janë përparësi për të dy ne. Sa i takon furnizimit me gaz, vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses për gazsjellësin TAP. Gazi natyror po i kontribuon sigurisë energjetike të Europës. Nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për bashkëpunimin strategjik. Kemi planin të dyfishojmë vëllimin me gaz për Europën. Ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë dhe do t’i japë kontribut shtesë Shqipërisë. Mendoj që dy gazsjellëset që janë pjesë përbërëse e korridorit të gazit mund të diskutohen,. Zyrtarët e BE-së po na njohin e vlerësojnë si një partner i besueshëm. Vendi ynë kërkon që të ndihmojë për infrastrukturën e gazit në Shqipëri. Azerbajxhani është i gatshëm që të investoje në infrastrukturën e gazit në Shqipëri”, tha Aliyev.

/rtsh.al/