RTSH 24 Live

Politikë

Begaj: Shqipëria, promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon

22/04/2024

Begaj: Shqipëria, promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon

“Shqipëria është promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon”, kështu deklaroi kreu i shtetit,  Bajram Begaj gjatë takimit në Presidencë me pjesëmarrësit e Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, përfaqësues nga vende të ndryshme të NATO-s dhe ato partnere.

Shqipëria është promovuese e paqes dhe sigurisë në rajon e me gjerë nëpërmjet politikës së dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Shqipëria beson dhe ka treguar në angazhimet e saj ndërkombëtare se multilateralizmi është mekanizmi i duhur që ofron zgjidhje të pranueshme në përballje me sfidat e përbashkëta të vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Begaj.

Kryetari i Shtetit përcolli vizionin e tij për Shqipërinë e së ardhmes në përgjigje të interesit të studentëve të këtij kursi. Ai u shpreh se e sheh Shqipërinë të vendosur drejt realizimit të objektivave dhe ëndrrës shqiptare të kamotshme Euroatlantike.

Pjesëmarrësit në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes u njohën nga Këshilltarët e Kreut të Shtetit me rolin dhe funksionet e Presidentit në një Republikë Parlamentare, si edhe në politikën e jashtme dhe atë të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

/rtsh.al/