RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

BDI paralajmëron trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve që do mbahen në maj

18/03/2024

BDI paralajmëron trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve që do mbahen në maj

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka paralajmëruar tensione dhe trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.

Sipas kësaj force politike, e cila është në koalicion me qeverinë bëhet e ditur për një “skenar rus” të koordinuar, mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, VMRO-DPMNE dhe partisë, E Majta.

Përmes një deklarate për mediat, BDI që drejtohet nga Ali Ahmeti ka pretenduar se fyerjet, që po i bën opozita kandidatit të saj për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit me mandat teknik, Talat Xhaferit, bazohen në “mungesën e programit zgjedhor dhe nxitjes e tensioneve për shkak të humbjes në zgjedhje”.

Për këtë “skenar”, BDI-ja tha se ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, por në deklaratën për mediat nuk specifikohet se për çfarë skenari bëhet fjalë dhe nëse për këtë ka marrë indikacione nga shërbimet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut.

Përshëndesim vendimin e OSBE-ODIHR që zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit t’i përcjellin me 24 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër, pasi vlerësojmë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për të ardhmen e vendit për t’i thënë po Evropës, jo Rusisë”,  thuhet në reagimin e BDI-së.

Por, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ka nënvizuar se qeveria nuk ka informacione mbi trazira të mundshme para apo pas zgjedhjeve të dyfishta presidenciale dhe parlamentare.

Për momentin nuk kemi të dhëna të tillë. Institucionet përkatëse, Agjencia për Zbulim, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe sektori i veçantë për siguri në Ministri të Mbrojtjes kanë raportuar për aspektet e sigurisë, por aktualisht nuk ka të dhëna. Por, tendenca për veprime hibride ka dhe kjo duhet të nxisë institucionet që të marrin masa parandaluese”, tha Xhaferi gjatë një vizitë në Tetovë.

BDI paralajmëron trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve që do mbahen në maj