RTSH 24 Live

Politikë

Bashkëpunimi rajonal e fuqizimi i institucioneve, KIE dhe BE ndihmë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

29/09/2022

Bashkëpunimi rajonal e fuqizimi i institucioneve, KIE dhe BE ndihmë për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë

Përpjekjet e autoriteteve për të reformuar gjyqësorin, për të luftuar krimin ekonomik, për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar lirinë e shprehjes dhe medias, si dhe për të avancuar bashkëpunimin rajonal, janë të një rëndësie vendimtare në përmirësimin e jetës së Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.

Mbështetja e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës në proceset e reformës në këto fusha ka qenë e vlefshme dhe të dyja organizatat mbeten të përkushtuara ndaj bashkëpunimit me partnerët e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.

Këto ishin ndër mesazhet kryesore të konferencës rajonale dyditore që u zhvillua në Budva, ku u prezantuan rezultatet e programit të përbashkët Bashkimi Evropian/Këshilli i Evropës “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019 -2022”.

Kemi pasur objektiva të përbashkët shumë të rëndësishëm si sigurimi i drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, luftimi i diskriminimit dhe liria e shprehjes. Dhe ka një marrëveshje të përbashkët për atë që duhet bërë dhe sesi gjërat duhen bërë. Dhe nëse të gjithë aktorët janë të angazhuar për këto objektiva mund të arrihen rezultat”, tha Kreu i Zyrës së KiE, Tiranë Jutta Gutzkov.

Faza e dytë e programit arrin në rreth 41 milionë euro dhe ka  funksionuar në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi si dhe Turqi, që nga maji 2019 deri në fund të 2022.

Instrumenti Horizontal në Shqipëri përfshin gjashtë projekte specifike për përfituesit, me një buxhet total prej mbi 4.1 milionë euro.

Ai mbulon fusha të tjera kyçe si lufta kundër korrupsionit; reforma në drejtësi dhe reforma në burgje, promovimi i diversitetit dhe barazisë si dhe liria e shprehjes dhe medias.

Ndërsa në fazën e tretë, programi synon qëdrueshmëri dhe vazhdimësi.

Nëse duam të arrijmë qëndrueshmëri dhe impakt real, nuk mund të shkojmë për zgjidhje të shpejta, duhet të vendosim marrëdhënie pune të besueshme dhe duhet të ndjekim. Për shembull nëse  duam të kemi gjykata funksionale duhet gjithashtu siç e thashë të kemi feedback-un e përdoruesve të gjykatës. Kjo do të thotë që në të ardhmen, në fazën e tretë të Instrumentit Horizontal sërish efiçenca e drejtësisë do të jetë prioritet i yni, për të ndërtuar një punë të suksesshme dhe për të vijuar mbështetjen e institucioneve shqiptare të drejtësisë”. Gutzkov.

Ky program i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës u krijua si një iniciativë bashkëpunimi për të ndihmuar Përfituesit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që të pajtohen me standardet evropiane në fushat vendimtare të agjendave të tyre të reformave.

/rtsh/