RTSH 24 Live

Aktualitet

Bashkëpunimi me institucionet e pavarura, Balla evidenton problematikat

11 orë para

Bashkëpunimi me institucionet e pavarura, Balla evidenton problematikat

Ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi se ka nevojë për përmirësim të marrëdhënieve mes ministrive dhe institucioneve të pavarura, pasi kjo është një pikë e rëndësishme për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

"Ajo që mund të evidentoj sot është se shkalla e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucioneve të pavarura nga institucionet publike ka ardhur duke u rritur. Mendoj që kemi ende shumë rrugë për të bërë," deklaroi z. Balla.

Balla evidentoi problematikat që hasen në zbatimin e rekomandimeve nga institucionet e pavarura.

"Institucionet publike, pra ministritë kryesisht, kanë një fushëveprimi të përcaktuar, ndërsa numri i rekomandimeve dhe natyra e tyre është e larmishme. Po ashtu është evidentuar se në shumë raste zbatimi i një rekomandimi të adresuar ndaj një institucioni mund të kërkojë edhe angazhim të disa strukturave të tjera në të njëjtën kohë," u shpreh ministri Balla.

Në një tryezë të përbashkët, përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të pavarura kanë dhënë sugjerimet e tyre.

Specialistët vunë në dukje mospërputhje në këndvështrimet midis institucioneve.

"Për të njëjtën çështje, institucione të ndryshme të pavarura kanë mbajtur qëndrime të ndryshme," tha Enkela Dudushi, drejtore e Departamentit të Administratës Publike.

"Niveli i pranueshmërisë së rekomandimeve për subjektet e audituara është në një nivel shumë të lartë, ndërkohë niveli i zbatueshmërisë së tyre shkon te 50 për qind," deklaroi Brunilda Zeneli, shefja e Drejtorisë së Metodologjisë dhe Zhvillimit në KLSH.

Palët ranë dakord që bashkëbisedimi në lidhje me këtë problematik duhet të vijojë.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/