Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha deklaroi të shtunën, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se mega afera e inceneratorëve është një nga skandalet korruptive më të mëdha të shtetit shqiptar prej themelimit të tij.
Sipas tij, pavarësisht denoncimeve të PD-DE për dëmin ekonomik që hajnia e inceneratorëve po shkaktonte me taksat e shqiptarëve, “Edi Rama ka promovuar dhe mbrojtur hajdutërinë e ndodhur me tre inceneratorët, njëri prej të cilëve nuk ekziston dhe dy të tjerët janë jashtë funksioni.”
“Këto monumente të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës nuk kanë dëmtuar vetëm xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës, por vijojnë të dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Tymi që mbulon sot Elbasanin është akuza më e madhe publike ndaj Edi Ramës. Aty ku duhet të ishte inceneratori shumë milionësh, ka vetëm plehra që digjen e bashkë me to propaganda e neveritshme e qeverisë, e financuar nga ato para që u vodhën përmes kësaj afere.”, shkruan Basha.
Sipas tij, flakët toksike që po helmojnë sot Elbasanin janë një thirrje për çdo qytetar shqiptar për ta ndëshkuar me votë Edi Ramën, “për mashtrimet dhe korrupsionin e tij, po ashtu është një apel për drejtësinë për të thelluar hetimet mbi këto vepra paligjshmërie, sepse koka e kësaj afere ulëritëse nuk janë bishtat që mbahen sot në burg. Shqipëria meriton më shumë”.
/rtsh.al/