RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi: Qeveria po përdor ambasadorët për tubimet elektorale jashtë vendit. Të veprojë Begaj dhe SPAK

9 orë para

Bardhi: Qeveria po përdor ambasadorët për tubimet elektorale jashtë vendit. Të veprojë Begaj dhe SPAK

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor trupën diplomatike si trupë elektorale për takimet që zhvillon me shqiptarët që jetojnë jashtë.

Bardhi thotë se ky akt është i dënueshëm me ligj dhe se po tentohet që shteti të shkrihet me partinë duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar në botë, si dhe duke cenuar barazinë e palëve në zgjedhje.

“Aktivitetet politike të Edi Ramës dhe Taulant Ballës jashtë vendit gjatë kësaj kohe kanë provuar jo vetëm braktisjen nga shqiptarët, por edhe një fenomen kriminal, atë të shkrirjes së shtetit me partinë. Kjo është aq evidente, saqë edhe Ambasadorët në SHBA, Kombet e Bashkuara, Itali, Gjermani, Greqi, Çeki, etj., në dhunim brutal të ligjit, marrin pjesë në aktivitete partiake me qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë, duke shpërdoruar funksionin, duke përdhosur figurën e përfaqësuesit të shtetit shqiptar (jo partisë) në botë, si dhe duke cenuar barazinë e palëve në zgjedhje.

Shkrirja e shtetit me partinë në zgjedhje dhe përdorimi i Trupit Diplomatik si trupë elektorale e partisë në pushtet, është një cenim i rëndë i zgjedhjeve dhe një rast unik në botë. Kurrë, askund, Trupa Diplomatike nuk merr pjesë në aktivitete partiake dhe aq më pak nuk shërben si trupë elektorale e partisë në pushtet. Funksioni kërkon paanësi politike dhe përfaqësim me dinjitet të Shqipërisë në Botë”, shkruan Bardhi.

Duke cituar ligjin, Bardhi kërkon reagim nga Presidenti Bajram Begaj si autoriteti që dekreton ambasadorët, ndërsa shton se SPAK duhet të përmbushë detyrën në zbatimin e ligjit.

Gjithashtu Bardhi shkruan se ndalimi i përdorimit të burimeve shtetërore për avantazhe në zgjedhje është një nga rekomandimet e përsëritura nga OSBE/ODIHR-it.

“Sipas ligjit nr. 23/2015, Shërbimi i Jashtëm është pjesë përbërëse e Shërbimit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, dhe PAANËSISË POLITIKE. Përveç detyrimeve të parashikuara nga ligji për nëpunësin civil, Ambasadorëve dhe stafeve të tyre NUK U LEJOHET me ligj të bëjnë pjesë në asnjë parti, organizatë ose shoqatë politike apo TË MARRIN PJESË në veprimtaritë e organizuara prej tyre. Shkelja e këtyre detyrimeve ligjore sjell shkarkimin nga detyra.

Në mënyrë të vazhdueshme OSBE-ODIHR ka rekomanduar ndalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore për të krijuar avantazhe të konsiderueshme të partisë në pushtet në zgjedhje, si dhe ka rekomanduar që organet ligjzbatuese të veprojnë në kohë dhe me vendosmëri për të ndëshkuar këtë fenomen. I kërkoj Presidentit të Republikës z. Bajram Begaj, si autoriteti kushtetues përgjegjës për dekretimin e Trupit Diplomatik të Shqipërisë kudo në botë, që të mbajë qëndrim publik për t'u distancuar nga aktiviteti i paligjshëm politik i Ambasadorëve dhe stafeve të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën, në organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet partiake të Kryetarit apo Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste me shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Gjithashtu, me kompetencat që i njeh Kushtetuta dhe ligji, Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë për që të ndërhyjë menjëherë për të mbajtur përgjegjës përpara ligjit secilin Ambasador që në shkelje brutale të ligjit ka organizuar dhe merr pjesë në veprimtari politike të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Drejtuesit Politik për Diasporën të Partisë Socialiste në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pa dyshim që ky është një KRIM që dënohet me 3 vjet burg nga Kodi Penal, sipas paragrafëve 1 dhe 4 të nenit 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Përgjegjësi penale sipas ligjit kanë Kryeministri Edi Rama dhe Ministri Taulant Balla, për përdorimin e burimeve njerëzore shtetërore për zgjedhje, dhe Ambasadorët e stafet e tyre diplomatike, për pjesëmarrje në aktivitete politike. Për këtë qëllim, kam udhëzuar përgatitjen menjëherë të një kallëzimi penal në SPAK ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Ambasadorëve që janë evidentuar deri më tani në aktivitete partiake/zgjedhore dhe stafeve të tyre përkatëse diplomatike.

Apeloj Presidentin e Republikës dhe Prokurorinë e Posaçme të përmbushin në kohë, pa hezitim, misionin e tyre kushtetues, sipas përgjegjësive, për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe për të ndëshkuar secilin zyrtar të shtetit që dhunon kaq brutalisht ligjin, për interesa të pushtetit personal të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.

Më 26 tetor, kryeministri Edi Rama rinisi turin e takimeve me shqiptarët jashtë vendet, ku foli me shqiptarët në Nju Jork dhe u kërkoi votën për zgjedhjet 2025 “ që të bëhen garant për Shqipërinë 2030”.

/rtsh.al/