RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi: Po bëni avokatin e vëllait të Kryeministrit. Spiropali: Dy liderët tuaj po “kafshojnë” SPAK

18/04/2024

Bardhi: Po bëni avokatin e vëllait të Kryeministrit. Spiropali: Dy liderët tuaj po “kafshojnë” SPAK

Seanca e Kuvendit ka nisur me akuza dhe debate mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me kërkesën e opozitës për mocion me debat lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike në vendin tonë.

Deputeti demokrat Gazmend Bardhi ka kërkuar që Kuvendi të jap llogari dhe të bëjë publike arsyet se pse nuk u pranua kërkesa e opozitës për mocion me debat, ndërsa ka akuzuar mazhorancën se po bën “avokatin e vëllait të kryeministrit me urdhër politik”.

Bardhi ka hedhur akuza se policia e shtetit dhe segmente brenda prokurorisë kanë mbrojtur qëllimisht Olsi Ramën për dosjen e laboratorit të drogës në Xibrakë.

“Në shkelje të plotë të rregullores anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në Konferencën e Kryetarëve dhe vendoset të mos sillnit në seancë plenare por duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuat në Konferencën e Kryetarëve. Grupi i PD ka paraqitur një kërkesë për mocion me debat lidhur me prodhimin dhe trafikimin e drogës në vendin tonë si një vend prodhues dhe transit të trafikut ndërkombëtar. Lufta e qeverisë në raport me këtë fenomen ka çeduar duke favorizuar grupe kriminale që trafikojnë lëndë narkotike. Po sjell si shembull atë lëshim me dashje nga Policia e Shtetit dhe segmente brenda prokurorisë që i kanë bërë Olsi Ramës sa i takonin laboratorit të drogën në Xibrakë. Keni vendosur të grisni Kushtetutën dhe debatin parlamentar mund të keni pasur urdhër politik ta bllokoni, por kur e bllokon duhet të jepni shpjegime dhe duhet të dilni hapur si avokat i Olsi Ramës”, tha Bardhi.

Në emër të mazhorancës foli ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ku tha se opozita duhet të “sjellë në binar” dy liderat e tij politik, “njëri që sulmon SPAK nga maja e ballkonit dhe tjetri që është pushtuar nga dëliri duke kafshuar SPAK-un”.

“Këtë opinion për baballarët në majë të thanës, njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane. A keni një opinion për këtë? Të dy baballarët tuaj as I përmendni, të dy president të kësaj Republike, të dy kryeministra të këtij vendi, të dy bela të këtij populli. Ju s’mund të shpreheni. Na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre? Në emër të të cilëve vini sot këtu dhe na tregoni gishtin për drejtësinë. Juve ju gënjen mendja dhe mund të hani thana në pemët e tyre dhe ti vilni votat në koshin e popullit. Duke I mbajtur të dy ata mbi supe siç mbanin shërbëtorët nj kohe mbretërit. Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani Kuvendin peng. Çfarë është SPAK për ju? Kur SPAK godet baballarët tuaj është organizatë kriminale. O duhet të shkojë në burg trafikanti I përgojuar prej jush ose duhet të përgjigjeni ju si kallëzues I rremë. Në rast se përgjigja juaj është ajo që na dhatë herën e kaluar, atëherë vazhdoni kështu. Sa i takon mocioneve me debat s’janë as manuale denigrimi, as shpifje, por ky institucion është institucioni më i lartë në vend dhe s’mund të pranoj kërkesat tuaja”, tha Spiropali.

Akuzat se opozita po sulmon SPAK, Bardhi tha me ironi se janë deputetët dhe ish ministrat e PS-së po “parakalojnë” përditë në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit.

“Halli jonë jeni ju, nuk shëtisim çdo ditë siç shëtisni gjysma juaj. Hyn njëri këtej e del tjetri këtej. Çdo ditë ngelët në dyert e SPAK dhe dera e drejtësisë do të ngjitet një kat më lart, tek ministrat, te ish ministrat, te kryeministri. Asnjëri nga ata që përmende ti nuk ka delir madhështie. Ka vetëm një hall dhe që duhet të mbaj përgjegjësi. E pamë herën e shkuar se sa e doni drejtësinë, për interesa korruptive të një ish ministri, grisët dhe hodhët në kosh një nga vendimet e drejtësisë”, tha Bardhi.

Ermonela Felaj, e cila po drejton seancën plenare tha se “mocioni me debat nuk ka marrë dakordësinë në Konferencën e Kryetarëve duke mos kaluar për diskutim në Kuvend”.

/rtsh.al/