RTSH 24 Live

Rajon

Ballkani i Hapur/ Escobar: SHBA e mbështet nëse Serbia njeh kufijtë me Republikën Srpska dhe Kosovën

02/12/2022

Ballkani i Hapur/ Escobar: SHBA e mbështet nëse Serbia njeh kufijtë me Republikën Srpska dhe Kosovën

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar tha se sfidat kryesore në Ballkanin Perëndimor janë marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe integrimi euroatlantik. Gjatë fjalës së tij në Këshillin Atlantik, Escobar tha se situata e krijuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka rritur përpjekjet perëndimore për të zgjidhur problemet e mbetura.

Escobar tha se shpreson të shohë progres vitin e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në planin franko-gjerman dhe theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

“Sfida për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë është se jo të gjitha vendet në rajon kanë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Kjo ka qenë një pengesë për gjetjen e zgjedhjeve dhe marrëdhënieve të qëndrueshme midis këtyre vendeve në mënyrë që Evropa të jetë e plotë. Ata thjesht nuk janë pjesë e strukturave formale që lidhin Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, ndaj pyetja është se si mund ta përshpejtojmë anëtarësimin e tyre në ato institucione formale, duke pranuar se janë evropianë sepse i përkasin shoqërisë sonë, i përkasin strukturave tona “, tha Escobar.

Lidhur me Ballkanin e Hapur, Escobar tha se SHBA e mbështesin atë me dy kushte, që Kosova aty duhet jetë krejtësisht e barabartë dhe Serbia duhet t’i njohë kufijtë me Republika Srpska’n dhe Kosovën Veriore si kufij ndërkombëtarë.

“Për Ballkanin e Hapur kemi thënë se e mbështesim vetëm nën dy kushte: njëri është që të jetë i hapur për të gjithë, i hapur për të gjithë si anëtar i plotë. Sfidat është se vendosin limitime për anëtarësimin e Kosovës. Nuk duhet të ketë, ata duhet të jenë anëtar i plotë i të gjitha institucioneve. Kjo është një nga gjërat që duhet ta testojmë, duhet ta testojmë zotimin e Presidentit Vuçiç që Kosova të jetë anëtare e plotë dhe t’i pranojë dokumentet që i lëshon Qeveria e Kosovës. Nëse në fillim janë bashkuar tre ose katër anëtarë në Ballkanin e Hapur, atëherë kjo kërkon një diferencim ndërmjet një zone të tregtisë së lirë dhe zonës së lirë të kontrabandës, pra kontrolli i kufijve. Kjo nënkupton që duhet t’i njohin kufijtë ndërmjet Serbisë dhe Republika Srpska’n dhe ndërmjet Serbisë dhe Kosovës Veriore si kufij ndërkombëtarë”, ka thënë Escobar.

/rtsh.al/